Fjala e Ambasadorit Lu në Ceremoninë e Projektit “Lufta ndaj Trafikimit të Qënieve Njerëzore”

Zonja Zëvendës Ministre Voda, Koordinatorë Antitrafik nga Mali i Zi dhe Maqedonia, kolegë të Terre des Hommes, zonja dhe zotërinj,

Disa prej çasteve më prekëse që kam përjetuar në Shqipëri kanë qenë gjatë vizitave në strehat e OJQ-ve të shkëlqyera anti trafikim këtu në Shqipëri.  Kam takuar vajza të reja, disa vetëm 14 vjeçe, të cilat tashmë janë kthyer nga trafikimi. Ky është një krim i paimagjinueshëm dhe është plotësisht kundër vlerave të njerëzve që jetojnë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor.

Ndjej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi, ma merr mendja edhe nga vende të tjera në rajon, kanë qenë burrat që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit.

Për ta bërë këtë, vendet e këtij rajoni duhet të mendojnë për zbatimin e ligjit dhe ofrimin e shërbimeve në një kontekst rajonal. E përgëzoj Shqipërinë që ka treguar udhëheqje rajonale, përfshirë mikpritjen e një konference për dhjetë koordinatorë antitrafik dy vjet më parë, për të diskutuar parandalimin e trafikimit të fëmijëve. Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një çështje që mund të zgjidhet pa bashkëpunim intensiv rajonal.

Departamenti Amerikan i Shtetit e kupton këtë dhe i ka dhënë Terre des Hommes një grant bujar për të mbështetur qeveritë dhe OJQ-të në rajon për të krijuar një rrjet rajonal bashkëpunimi. Terre des Hommes ka patur një përvojë të gjatë dhe të suksesshme pune në Shqipëri dhe respektohet për punën efikase kundër trafikimit këtu.

Jemi veçanërisht entuziastë për punën inovatore të këtij projekti në përpjekjet për riintegrimin e viktimave, sepse qëllimi afatgjatë nuk është vetëm vendosja e viktimave në streha, por që ato të dalin prej tyre me aftësi, siguri financiare dhe vetëbesim. Ky projekt do të ndihmojë për këtë.

Së fundi, u bëjmë thirrje qeverive në të gjithë rajonin, por veçanërisht këtu në Shqipëri, të vazhdojnë të ofrojnë fonde për strehat e grave dhe fëmijëve të trafikuar.  Në rastin e Shqipërisë, këtu ka nevojë që qeveria jo vetëm të angazhohet politikisht për të siguruar atë financim, por duhet edhe t’i dorëzojë me të vërtetë këto fonde. Sot ata nuk janë duke e bërë këtë.

I urojmë fat Terre des Hommes në zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.  Keni mbështetjen tonë të plotë.