Fjala e Ambasadorit Lu në Ceremoninë e Dhurimit të Pajisjeve për Kontrollin dhe Parandalimin e Përmbytjeve

Ministre Xhaçka, Drejtor Premçi, burra dhe gra të guximshme të Forcave të Armatosura Shqiptare,

Ju uroj një pasdite të mbarë! Vij me një mesazh të thjeshtë nga aleatët tuaj amerikanë – ne besojmë në heroizmin e ushtarëve, marinarëve dhe pilotëve shqiptarë.

E kemi parë këtë heroizëm në Afganistan, në Irak, në Bosnjë, në Mali dhe në Letoni.

Gjithashtu, e kemi parë këtë heroizëm këtu në shtëpi, në Shqipëri, në shpëtimin e familjeve nga përmbytjet, zjarret dhe stuhitë e borës. Ju kemi parë të ndërtoni ura,  të shpëtoni fëmijë duke përdorur helikopterë dhe të kujdeseni për të sëmurët e të plagosurit.

Pas përmbytjeve të tmerrshme të vitit të kaluar, ushtria e SHBA-së iu përgjigj kërkesës suaj në NATO për pajisje ndihme në raste katastrofash.

Sot po i dhurojmë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dërgesën e parë të pajisjeve që përdoren në përgjigje ndaj katastrofave, të cilat kanë një vlerë totale mbi 600,000 dollarë. Kjo përfshin pajisje shpëtimi, të tilla si: katër barka gome, 126 kostume zhytësish dhe 10 gjeneratorë të mëdhenj ushtarakë. Dërgesa përmban gjithashtu furnizime humanitare në mbështetje të viktimave nga fatkeqësitë, përfshirë 1600 batanije, 600 dyshekë alpin, 100 ngrohësa dhe 15 tenda.

Ne besojmë në heroizmin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe jemi krenarë që i mbështesim në misionin e tyre për të shpëtuar jetë, brenda dhe jashtë vendit.