Fjala e Ambasadorit Lu në Aktivitetin për Praktikat më të mira në luftën kundër kërcënimit të luftëtarëve të huaj terroristë

Prokuror i Përgjithshëm Llalla, Ministër Tahiri, Gjykatës Kuntz, kolegë:

Dëshiroj ta nis këtë mëngjes duke folur mbi atë që dimë lidhur me sulmet në Paris dhe nëse luftëtarë të huaj terroristë nga Siria, apo të frymëzuar nga ISIS-i, mund të kenë qenë të përfshirë.

ISIS-i ka marrë përsipër publikisht përgjegjësinë për sulmet që vranë 129 persona dhe lanë në gjendje kritike 99 persona të tjerë. ISIS-i tha se sulmet ishin në hakmarrje të rolit të francezëve në koalicionin kundër ISIS-it dhe për mosrespektimin e Profetit, me sa duket në  referencë të karikaturave të Charlie Hebdo.

Qeveria franceze beson se mund të ketë pasur tetë ose më shumë agresorë që kanë punuar në tre ekipe për ndërmarrjen e sulmit. Njëri prej agresorëve që vdiq në sallën e koncerteve Bataclan, Ahmad al-Mohammad, mbante një pasaportë siriane që ishte regjistruar nga autoritetet greke më 3 tetor, dhe më pas nga autoritetet serbe dhe kroate, ndërsa ai kaloi përmes Ballkanit.

Një agresor i dytë, Ismael Omar Mosefai, ishte shtetas francez me historik kriminal dhe histori të përfshirjes në ideologji ekstremiste islamike.  Ai besohet të ketë udhëtuar në Turqi në vitin 2012 dhe ka të ngjarë gjithashtu edhe drejt Sirisë.

Këto hollësi, nëse janë të vërteta, janë shqetësuese.  Së pari, ka pasur një debat të konsiderueshëm nëse kriza e migrimit në Ballkan, Gjermani, Austri, mund të jetë e lidhur me sfida të reja të sigurisë për Evropën.

Së dyti, pjesëmarrja e një shtetasi francez dhe ndoshta  e tre vëllezërve rezidentë në Belgjikë është një kujtesë se mbrojtja e vendeve tona nga terrorizmi mund të përfshijë jo vetëm identifikimin dhe ndjekjen penale të kërcënimeve të huaja. Ndërsa udhëtimi për të luftuar në Siri dhe Irak bëhet më i vështirë, shumë ekstremistë mund të jenë të frymëzuar nga ISIS-i për të kryer akte terroriste në vendet e tyre, pa luftuar ndonjëherë në Siri apo Irak. Kjo paraqet një sfidë të madhe për policinë dhe prokurorët pasi, idealisht, ekstremistët duhet të identifikohen dhe të ndiqen penalisht përpara kryerjes së akteve të dhunës.

Koalicioni prej 65 shtetesh që luftojnë ISIS-in përfshin të gjitha Ballkanin: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë dhe Slloveninë.  Sikurse e kanë treguar kërcënimet drejtuar Ministrit Tahiri përgjatë fundjavës, ISIS-i është i fokusuar në angazhimin e vendeve të Ballkanit për të luftuar ISIS-in.

Në rajon, falë punës së njerëzve në këtë sallë, është bërë përparim për arrestimin dhe ndjekjen penale të personave të dyshuar dhe mbështetës të luftëtarëve të huaj terroristë.  Bosnja ka gjetur fajtor pesë persona dhe 13 të tjerë i ka në gjykim për rekrutim, financim dhe/ose udhëtim drejt Sirisë në mbështetje të ISIS-it. Në Kosovë rreth 25 persona janë deklaruar fajtorë për akuzat që lidhen me rekrutimin, financimin, apo udhëtimin drejt Sirisë në mbështetje të ISIS-it. Në Maqedoni, kohët e fundit kanë arrestuar 11 persona të akuzuar si luftëtarë të huaj. Nëntë persona janë tashmë në gjykim në Shqipëri duke u përballur me akuza si luftëtarë të huaj.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka sponsorizuar këtë konferencë për të sjellë ekspertët tanë më të mirë që diskutojnë me ju mbi praktikat më të mira që përfshijnë ndërveprime të ndërlikuara mes policëve, prokurorëve dhe gjykatësve në luftën kundër luftëtarëve të huaj.

Gjatë një javë të ngarkuar, kur të gjitha qeveritë tona janë të fokusuara në këtë kërcënim të ri në zhvillim, më lejoni t’ju falenderoj që keni treguar përkushtimin tuaj ndaj bashkëpunimit rajonal për hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre luftëtarëve të huaj që kërcënojnë cohën e shoqërive tona.