Fjala e Ambasadorit Donald Lu tek Ceremonia e Varrimit të Oficerit të RENEA-s Ibrahim Basha

Familja e Oficerit të Policisë Ibrahim Basha, oficerë të Policisë së Shtetit Shqiptar, anëtarë të Forcave Speciale Shqiptare, zonja dhe zotërinj,

Në emër të aleatëve të Shqipërisë në NATO, që kanë shërbyer me nën tetarin e atëhershëm të Forcave Speciale Ibrahim Basha në Afganistan dhe Irak, e nderojmë atë për shërbimin ndaj vendit të tij.  Ne nderojmë gjithashtu shërbimin e tij për çështjen e paqes në Afganistan dhe Irak.  Nën tetar Basha nuk ka shërbyer në vende të qeta apo të sigurta.  Ai shërbeu krah për krah vëllezërve të Forcave Speciale Shqiptare dhe Amerikane në Kandahar – një prej rajoneve më të rrezikshëm të Afganistanit – dhe në Mosulin e Irakut të shkatërruar prej luftës. Ai shërbeu në dy misione në Afganistan dhe në tre misione në Irak. Mori dy medalje ndërkombëtare shërbimi për trimërinë dhe përkushtimin e treguar.

Vrasja e Oficerit të RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat është një tragjedi kombëtare.  Ne nderojmë trimërinë dhe sakrificën e tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve.  Këtë javë, pata mundësinë të shihja një stërvitje të RENEA-s dhe Forcave Speciale Shqiptare. Aftësitë dhe profesionalizmi i tyre më kanë lënë mbresë.  Këta burra të përkushtuar janë ushtarët dhe oficerët e policisë më të mirë në Shqipëri.

I gjithë vendi juaj duhet të jetë krenar për shërbimin e tyre.

Ne në aleancën e NATO-s jemi krenarë që shërbejmë përkrah heronjve si Ibrahim Basha.

Në emër të NATO-s dhe në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij dhe të gjithë shqiptarëve.