Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Simpoziumin Antikorrupsion

Simpoziumi “Sytë drejt së ardhmes: Muri i korrupsionit çahet!”

Tiranë

 

I nderuar Kryeministër Rama, kolegë diplomatë, gjyqtarë, prokurorë, policë, studentë dhe profesorë,

Në Shtetet e Bashkuara ka një rast të njohur korrupsioni që u zbulua në vitin 2008.  Ai përfshinte dy gjykatës që morën më shumë se 2.6 milionë dollarë rryshfet nga burgje private për të mitur në këmbim të dënimeve të rënda për t’i mbajtur burgjet plot.

Një prej viktimave të këtij korrupsioni ishte 17 vjeçarja Hillary Transue që në vitin 2007 postoi në faqen e saj të medias sociale një shaka, ku tallej me nëndrejtorin e gjimnazit të saj. Ndonëse shënimi tregonte qartësisht se ishte një shaka, gjykatësi e dënoi me tre muaj në burgun për të mitur, për ngacmim.  Prindërit e panë të tmerruar, tek e morën me pranga në duar.

Mbi 2,000 të rinj mund të jenë burgosur padrejtësisht dhe jetët e tyre u shkatërruan, për shkak të veprimeve të këtyre dy gjykatësve të korruptuar.  Dy gjykatësit u pushuan nga puna dhe do të kryejnë shtatë vite dënim në burgun federal.  Tani janë duke u rishqyrtuar të gjitha çështjet e tyre.

E përdor këtë shembull për të theksuar kostot e tmerrshme njerëzore të korrupsionit në nivele të larta.  Në Shqipëri, çdo familje ka një histori për të treguar se si korrupsioni i ka prekur jetën. Disa ankohen për inspektorë tatimorë të pangopur që i detyrojnë të mbyllin bizneset. Të tjerë flasin për biznesmenë të korruptuar që krijojnë monopole në sektorin farmaceutik ose që kontrollojnë politikanë për të ndikuar vendimin për një tender ose pronë. Ose, se si gjykatës apo prokurorë të korruptuar kërkojnë pará, seks ose favore për një vendim gjyqësor korruptiv.

Në korrik, Kuvendi i bëri popullit shqiptar një dhuratë — miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).  Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, këto institucione të reja do të sigurojnë një kapacitet të pavarur të akuzës dhe të hetimit për të kapur krerët e krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar. Ata do ta bëjnë këtë me mbështetjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Por, kjo do të funksionojë vetëm nëse populli shqiptar ka pritje të larta dhe kërkon rezultate nga këto institucione të reja.

Ju duhet të prisni që shumë prej kontrabandistëve të drogës dhe krerë të krimit të organizuar në Shqipëri, do të futen në burg.

Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë.

Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe politikanë, gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar.

Shohim prova që këta persona janë tashmë të frikësuar dhe se po përpiqen të luftojnë kundër kësaj reforme. Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor.

Të gjitha partitë kryesore politike e kanë vënë besimin e tyre në gjykimin e Komisionit të Venecias. Jemi në pritje të opinionin të tij, i cili do të ndihmojë në udhëzimin e Shqipërisë për zbatimin e reformës në drejtësi.

Më lejoni ta mbyll duke falenderuar pjesëmarrësit tanë të shumtë që sjellin përvoja antikorrupsioni nga Kroacia, Rumania dhe ekzotiku Detroit i Miçiganit – Gjykatësen Kora Bumci, Prokurororen Florentina Mirica, Prokurorin Federal të Shteteve të Bashkuara Mark Chutkow dhe Agjentin Special të FBI-së Robert Beckman.  Jemi të përkushtuar që të kemi një diskutim të gjallë dhe të sinqertë gjatë këtyre tri ditëve.