Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Konferencën e Avokatit të Popullit

I nderuar Kryetar i Kuvendit Meta, Ministre Felaj, kolegë diplomatë, Dr. Totozani, zonja dhe zotërinj, mirëmëngjes!

Gjatë pesë viteve të fundit, kemi bërë shumë beteja për të drejtat e njeriut përkrah Zyrës së Avokatit të Popullit.  Kemi humbur shumicën e këtyre betejave për shkak se qeveritë e djathta dhe të majta nuk e kanë dëgjuar Avokatin e Popullit.

Por, ka patur disa suksese në strehimin e romëve, kushtet e burgjeve dhe të drejtat e LGBT-ve.  Na ka bërë veçanërisht përshtypje puna e Zyrës së Avokatit të Popullit me Bashkinë e Tiranës, për t’i përgatitur familjet rome që të largoheshin nga zonat me rrezik përmbytjeje.  Gjithashtu, mirëpresim mbylljen e burgut të tmerrshëm “Jordan Misja” dhe rihapjen e një burgu me kushte më njerëzore në vend të tij. Së fundi, theksojmë përfshirjen e Zyrës së Avokatit të Popullit në parada dhe aktivitete ndërgjegjësuese për të drejtat e LGBT-ve, edhe kur të gjithë në qeveri dhe në kuvend kishin shumë frikë të shfaqeshin publikisht.

Shqipëria do të ishte një vend më i mirë nëse qeveritë do t’i vinin veshin Zyrës së Avokatit të Popullit.

Në vend të kësaj, politikanë nga e djathta dhe e majta i kanë kushtuar vëmendje  interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj dhe madje, edhe të trafikantëve të drogës.

Si mund ta shpjegojmë ndryshe faktin që trafikanti i paprekshëm i drogës, Klement Balili, është ende i lirë. Sipas medias, ai ka shmangur 200 policë që kanë qenë në ndjekje të tij.  Sipas të vëllait, ai ecën lirisht në rrugët e Tiranës, sepse deri të premten e kaluar zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk kishte urdhëruar arrestimin e tij.  Klement Balili, ish-zyrtar në Sarandë, përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe të sistemit të drejtësisë.

Kanë kaluar shtatë muaj që kur policia greke arrestoi trafikantët e drogës të lidhur me Balilin në Greqi.  Që atëherë ka qenë në kërkim nga policia greke.  Kanë kaluar shtatë muaj që kur Ministria e Drejtësisë dërgoi personel në Greqi për tërheqjen e dokumentave.  Tani ata kanë 10,000 faqe dokumentacion.

Agjencitë ligjzbatuese të SHBA i kanë thënë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojë Balilin. Për shtatë muaj kam nxitur policinë, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë.

Nëse Shqipëria nuk mund të kapë Klement Balilin, si mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj? Kush do të donte të punonte me Shqipërinë? Kush do ta besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?

Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi ynë i ardhshëm kundër narkotikëve është i kushtëzuar nga arrestimi dhe procedimi penal i peshqve të mëdhenj nga ana e Shqipërisë, përfshirë Klement Balilin.

Zyra e Avokatit të Popullit ka ndërmarrë disa beteja të rëndësishme në mbrojtje të të drejtave të njerëzve të zakonshëm. Shpresojmë për një të ardhme në të cilën më shumë drejtues në vend t’i vënë veshin Zyrës së Avokatit të Popullit sesa trafikantëve të drogës.