Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Forumin “Unë Zgjedh të Jetoj Pa Dhunë”

Ministër Klosi, dekane Znj. Duka, drejtoreshë Znj. Leskaj, drejtoreshë Znj. Luarasi, drejtoreshë Znj. Arqimandriti, gazetare e talentuar e videos Znj. Rusi,  të dashur studentë dhe profesorë,

Dhuna në familje nuk është diçka që u ndodh vetëm njerëzve të tjerë. Është diçka që ndodh rreth e rrotull nesh.

Merrni një çast. Shihni djathtas e majtas. Në botë, të paktën një në tre gra është rrahur, detyruar të bëjë seks, apo është abuzuar në mënyra të ndryshme gjatë jetës së saj. Më shpesh, abuzuesi është një anëtar i familjes së saj.

Të ndalësh dhunën në familje është një përgjegjësi e ndarë nga të gjithë ne – burra dhe gra. Pa arsimin aktiv dhe përfshirjen e burrave dhe djemve, kurrë nuk do të përparojmë me këtë çështje.

Një nga mënyrat se si të rinjtë mund të luftojnë dhunën në familje është të mësojnë të respektojnë njëri-tjetrin.  Kush ju mësoi juve se çfarë është respekti? Ishin prindërit? Një mësues? Një vëlla apo një motër? Një mik?

Kur unë isha student, mësova për respektin nga një miku im i cili më mori të marshoja aty ku studentët protestonin kundër dhunës në universitet. Mbaj mend se isha 18 vjeç dhe dëgjoja historitë e grave të guximshme në moshë të re të cilat tregonin si ishin sulmuar fizikisht apo se si nuk do të lejonin më kurrë që dikush t’i lëndonte. Kjo më mësoi respekt për zërat kurajozë të cilët nuk kanë frikë të flasin lartë dhe qartë kundër dhunës.

Shqipëria ka zërat e saj kurajozë. Dua të njoh sakrificën dhe kurajon e njerëzve që mbështesin organizatat joqeveritare që punojnë për t’i dhënë fund dhunës në familje: Rrjetit Të Fuqizimit Të Gruas Shqiptare, Qendra E Këshillimit Për Gratë Dhe Vajzat, dhe Qendra Aleanca Gjinore Për Zhvillim.

Së fundmi, dua të falënderoj Erjona Rusin për video-mesazhin fantastik që prodhoi mbi ndalimin e dhunës dhe dekanen Duka që na priti sot këtu.

Unë zgjedh të jetoj pa dhunë. Unë zgjedh të respektoj gratë. Unë zgjedh të respektoj burrat. Unë zgjedh të ndihmoj të tjerët të mësojnë çfarë do të thotë respekt. Shpresoj që do të bashkoheni me mua.