Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Forumin e Hapur të “Vatrës” për Trafikimin e Personave

Zëvendës Ministre Gjebrea, Kryetar i Bashkisë  Dr. Leli, Prefekte Hoxha, Rektor Zisi, Drejtore Ekzekutive e “Vatrës” zonja Puka, të dashur studentë dhe profesorë,

Kam pasur mundësinë të vizitoj të tre strehëzat e OJQ në Shqipëri që mbështesin viktimat e trafikimit në Elbasan, në Tiranë dhe këtu në Vlorë. Një nga kujtimet më të fuqishme të kohës sime në Shqipëri është të bisedoj me vajzat e reja që po rehabilitohen në këto strehëza. Ato janë njerëzit më guximtarë që kam takuar ndonjëherë në jetë.

Disa prej tyre janë mashtruar në prostitucion prej ofertave me paga të larta për të punuar si dado, punonjëse zyrash apo kamariere.  Ca prej tyre nuk janë më të rritura se fëmijët e mi.  Por, disa nga to kanë pasur kurajon t’i shpëtojnë skllavërisë dhe të kthehen në shtëpi në Shqipëri.  Jo të gjitha janë mirëpritur nga familjet dhe komunitet e tyre.  Fatkeqësisht, disa prej familjeve dhe komuniteteve nga vijnë nuk e kuptojnë se ato nuk kanë bërë asgjë të keqe dhe se janë viktima të këtij krimi.

Këto vajza të reja kanë kurajon të ndërtojnë jetë më të mirë për veten dhe të jenë mbështëse të njëra-tjetrës, ndërsa nisin ta marrin veten nga kjo përvojë traumatike.  Përgëzoj “Vatrën”, “Të ndryshëm dhe të Barabartë” dhe “Tjetër Vizion” për punën e bërë në mbështetje të njerëzve — njerëzve të zakonshëm si ti dhe unë – që kanë qenë viktima të trafikimit. Njerëzit që punojnë në këto strehëza, përfshirë Brikenën që organizoi këtë forum sot, janë heronjtë e vërtetë të Shqipërisë.

Një tjetër nga heronjtë e mi është Zëvendësministrja e Brendshme Elona Gjebrea. Ajo ka luftuar çdo vit për të rritur aktivitetin e Qeverisë së Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ka siguruar më shumë para për programet e OJQ-ve, për pagat e personelit, për edukimin e policëve dhe të policeve, si dhe për aktivitetet e parandalimit që synojnë të rinjtë. Përpjekjet e saj janë duke sjellë ndryshim çdo ditë.

Dëshiroj të vlerësoj punën e kryetarit të bashkisë dhe të prefektes për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj trafikimit.  Zonja Hoxha është kryetare e komitetit rajonal anti trafik. Vlora është e bekuar për shkak të tregtisë dhe lidhjeve të saj kulturore me Italinë e Jugut.  Gjithashtu ka qenë tradicionalisht një komunitet që ka vuajtur shumë nga trafikimi i qenieve njerëzore.  Udhëheqja e Dr. Lelit, zonjës Hoxha dhe drejtuesve vendorë është tepër e rëndësishme dhe kërkon pjesëmarrjen aktive e mbështetjen e Ministrisë së Shendetësisë, Ministrisë së Arsimit, Inspektoriatit të Punës, si dhe të shoqërisë civile.

Së fundi, më lejoni t’ju them atë që e dini tashmë. Ka shumë punë për të bërë. Policia dhe prokurorët duhet të punojnë më ngushtë së bashku për të identifikuar viktimat e trafikimit. Trafikantët duhet të mbahen përgjegjës me dënime më të gjata me burg dhe viktimat të kenë të drejta të plota dhe mbrojtje.  Qeveria vendore mund të bëjë më shumë duke mbështetur riintegrimin e viktimave të trafikimit në shoqëri dhe duke u ofruar ndihmë.

Për të gjithë studentët që na janë bashkuar sot, shpresoj që disa nga ju të vendosin të jeni heronjtë e Shqipërisë dhe ta përkushtoni veten ndaj luftës kundër trafikimit.