Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Ceremoninë e Komandës së Forcave Tokësore

Ministre Xhaçka, Gjeneral Kollçaku, Gjeneral Cahani, anëtarë të guximshëm të Forcave të Armatosura shqiptare,

Ushtarët dhe marinarët shqiptarë janë heronj të vërtetë.  Kjo nuk ka qenë kurrë më e qartë se këtë javë kur marinarët shqiptarë në anijen detare “Oriku” shpëtuan jetën e 100 refugjatëve sirianë, përfshirë të 39 fëmijëve.  Anija “Oriku” ka shërbyer në një operacion detar të NATO-s në Detin Egje në vitin e kaluar. Gjatë asaj kohe, ata shpëtuan jetën e më shumë se 800 personave.

Si aleati juaj i NATO-s, jemi krenarë që shohim Ministren tuaj të re të Mbrojtjes dhe shefin tuaj të ri të Shtabit të Përgjithshëm të investojnë në ndërtimin e së ardhmes të një force të armatosur të fortë shqiptare.

Si janë duke investuar?

Së pari, ata po investojnë fonde.

Për herë të parë, që kur Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009, po shohim një rritje të madhe në buxhetin e propozuar  të mbrojtjes – mbi 8 miliardë lekë më shumë se vjet.  Kjo është një përparësi e përbashkët e qeverisë dhe e opozitës, e Presidentit, e Kryeministrit dhe e Kuvendit. Ju lumtë!

Së dyti, ata po investojnë në teknologji.

Dorëzimi i sotëm i këtyre automjeteve të blinduara dhe ekspozimi i pushkëve të sofistikuara sipas standardit të NATO-s, i një roboti amerikan për shkatërrimin e bombave dhe kostumeve për mbrojtjen nga bombat, përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të armëve dhe pajisjeve moderne që po u prezantohen Forcave të Armatosura shqiptare. Kjo është një kohë e shkëlqyer për të qenë ushtar ose marinar në Shqipëri.

Dhe së treti, por më e rëndësishmja, ata po investojnë në njerëz. 

Kemi sot me ne Togerin e Rangut të Parë, Sajmir Cuka, që është vetëm shqiptari i dytë i diplomuar ndonjëherë në Akademia Ushtarake e SHBA-së në West Point. Ky është vendi nga i cili janë diplomuar të gjithë gjeneralët më të famshëm të Ushtrisë Amerikane. Toger i Rangut të Parë Cuka përfundoi gjithashtu kursin e nivelit të lartë të Forcave Speciale të SHBA-së dhe sot është një Udhëheqës i Ekipeve të Forcave Speciale shqiptare me përvojë luftarake në Afganistan. Ai përfaqëson të ardhmen e Forcave të Armatosura shqiptare.

Jemi gjithashtu krenarë që Shqipëria po rrit mundësitë e saj themelore të trajnimit me shumë aleatë të NATO-s, veçanërisht me SHBA-në. Për shembull, Gjeneral Kollçaku, Komandanti i Forcave Tokësore Gjeneral Cahani dhe Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral Avdiaj, janë të gjithë të diplomuar të dalluar të Kolegjeve të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara.

Jam krenar që sot njoftoj se vitin e ardhshëm do të rrisim buxhetin tonë të trajnimit ushtarak për Shqipërinë mbi tridhjetë e pesë milionë lekë, në vlerësim të angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s.

Së fundi, kam nderin të njoftoj që në muajin janar Departamenti i Mbrojtjes do të presë Ministren tuaj të re të Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe një delegacion të nivelit të lartë në Pentagon, për të diskutuar se si mund të zgjerojmë marrëdhëniet tona ushtarake dhe të rrisim mbështetjen tonë për Forcat e Armatosura shqiptare.

Ministre Xhaçka po investon në të ardhmen. Gjeneral Kollçaku po investon në të ardhmen.  Ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për këto investime për ushtarët dhe marinarët heroikë të Shqipërisë.