Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Ceremoninë e Diplomimit në Shkollën e Magjistraturës

Zoti Kryetar i Gjykatës së Lartë, Zaganjori, Prokuror i Përgjithshëm Llalla, Drejtor Sadushi, Diplomantë të dashur, Zonja dhe Zotërinj,

Kam marrë pjesë në shumë ceremoni të mërzitshme diplomimi në jetën time me fjalime të gjata dhe të mërzitshme. Megjithatë mbaj mend dhe një ceremoni që ia vlente. Ishte viti 1985 dhe unë vetë nuk isha diplomuar ende por të gjithë në universitetin tim ishin shumë të emocionuar për shkak të një të ftuari.

Emri i tij ishte Theodore Seuss Geisel, por ai njihej më mirë në botë me emrin Dr. Seuss.  Ai është i famshëm për librat për fëmijë me vargje me rimë, përfshirë Macja në Kapele, Vezë Jeshile dhe Proshutë, dhe Loraksi [The Cat in the Hat, Green Eggs and Ham and The Lorax].

Nuk e di nëse Dr. Seuss është i famshëm në Shqipëri por në Amerikë çdo fëmijë rritet duke lexuar librat e tij. Kur ai u ngrit për të marrë diplomën honorifike si Doktor i arteve të bukura, studentët u çmendën. Duartrokisnin dhe thërrisnin gëzueshëm tek ai merrte në dorë diplomën.

Diploma thoshte: “mirënjohje për rrëfimin e botës së të rriturve për fëmijët, dhe rrëfimin e botës së fëmijëve për të rriturit”.

Atëherë çfarë do t’ju thoshte Dr. Seuss nëse do të ishte sot këtu me ne?  Ai shkruajti dikur këto rreshta të famshme:

You’re off to great places.  Today is your day!  Your mountain is waiting.  So get on your way. // Do të shkoni në vende të mrekullueshme. Sot është dita juaj! Mali juaj po ju pret. Kështu që nisuni shpejt!

Çfarë do të thotë kjo sot në kontekstin shqiptar? Për mua do të thotë që koha e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar ka përfunduar. Sot është dita juaj.   Ky është momenti që një brez i ri gjykatësish dhe prokurorësh të lënë gjurmë në këtë botë.

Shqiptarët duhet të mbushen me shpresë se brezi juaj do të jetë brezi që do të rikthejë shpresën dhe besimin se do të ketë drejtësi për të gjithë. Ata duan të besojnë se brezi juaj do ta përdorë këtë mundësi të çmuar të reformës në drejtësi për t’u siguruar që të gjithë njerëzit – fajtorë dhe të pafajshëm – do të trajtohen me respekt në këtë shoqëri.

Kam qënë fajtor për shumë gjëra në jetën time. Këto dy vitet e fundit, kam qënë fajtor për kritikat ndaj integritetit dhe profesionalizmit të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Tani është detyra juaj t’i tregoni botës se mund të bëni më shumë. Se mund t’i kryeni me profesionalizëm detyrat tuaja – pa para korruptimi, pa ndikim nga politika, dhe pa u frikësuar nga kriminelë të rrezikshëm.

Do të përballeni me sfidën për t’u bërë brezi që ndërton besimin e njerëzve. T’u tregoni atyre që mund të bëni më shumë, më mirë. T’u tregoni atyre që jeni profesionistë, të drejtë dhe të mençur.

Keni për të ngjitur një mal të lartë. Por me kurajo të madhe dhe vendosmëri, të gjithë ne kemi besim se do t’ia dilni.

Urime për të gjithë të diplomuarit, mësuesit dhe prindërit e tyre. Ta kujtojmë këtë ditë si dita e parë e brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë në Shqipëri!