Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Aktivitetin “Të Guximshme për Ndryshim”

Zonja Ministre Harito, Ambasadore van de Weerd, Ambasador Ndisi, Zonja Leskaj, zonja dhe zotërinj,

Dua t’ju tregoj historinë e një vajze të guximshme që ka prekur jetën time dhe të një miliard njerëzve në Indi.  Media e quajti Nirbayba (ose “e patrembura”) për shkak se në Indi është e paligjshme të publikohet emri i një viktime përdhunimi.

Më 16 dhjetor 2012, gjashtë burra në një autobus në Nju Delhi, Indi, përdhunuan në grup Nirbaya-n, një vajzë 23 vjeçare që studionte për t’u bërë fizioterapiste.  Ata jo vetëm që e përdhunuan, por e rrahën për vdekje.  Mjekët punuan për ditë të tëra për ta shpëtuar. Qeveria e dërgoi me avion në Singapor për mjekim, por ajo ndërroi jetë atje.  Para se të vdiste, këmbënguli që të fliste me mediat për t’u treguar historinë e saj dhe për të folur në emër të të gjithë viktimave të dhunës, në një kulturë që prej një kohe tejet të gjatë fajësonte viktimat dhe jo autorët.

Pak pas vdekjes së saj, më shumë se 100,000 protestues, të vjetër dhe të rinj, burra dhe gra, u mblodhën para zyrës së Kryeministrit për të kërkuar drejtësi.  Qeveria u përgjigj duke dërguar në parlament ndryshime rrënjësore në ligjet kundër përdhunimit dhe sulmit seksual.  Sot, India ka ligje kundër dhunës seksuale më të përparuara se Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës. E gjithë kjo ndodhi për shkak të një vajze të guximshme që vendosi se nuk do të ishte e heshtur.

Pata mundësinë të takohem me prindërit e Nirbaya-s në një ceremoni private që Ambasada e Sh.B.A.-së organizoi për t’i dhënë asaj pas vdekjes Çmimin Gruaja e Kurajos.  Ishte një takim që nuk kam për ta harruar kurrë, sepse prindërit ishin po aq të guximshëm sa ajo. Ata donin të ngrinin zërin dhe të siguroheshin që vdekja e vajzës së tyre kishte shërbyer për diçka.

Është thelbësore që ne të gjithë, burra dhe gra, të dalim në mbrojtje të fuqizimit të grave e të vajzave dhe të kundërshtojmë dhunën, diskriminimin dhe paditurinë.

Si babai i një vajze 12 vjeçe, më lejoni ta përfundoj duke falenderuar Rrjetin për Fuqizimin e Grave Shqiptare për punën që po bëjnë për të nderuar gratë dhe vajzat që kanë kapërcyer raste të pabesueshme për të qenë të guximshme për ndryshim.