Fjala e Ambasadorit Donald Lu në aktivitetin “Shqipëria 25 vite pas rënies së komunizmit”

Dr. Rakipi, Ambasadore Vlahutin, Drejtor Hantke, Profesor Fischer, Z. Biberaj, zonja dhe zotërinj,

Në çdo shoqëri ka ngjarje për të cilat pyetet: “A të kujtohet ku ishe kur ndodhi kjo?”  Si amerikan, në jetën time, këto përfshijnë zbritjen e astronautëve në hënë, shpërthimin e anijes kozmike “Challenger” dhe sulmet e 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.

Historia moderne e Shqipërisë ka shumë çaste të tilla dhe shumë prej tyre ndodhën sapo del nga dyert e këtij hoteli, në Sheshin “Skënderbej”.   Nga protestat e lëvizjes studentore, tek vizita e Sekretarit të Shtetit James Baker, për të cilën vërshuan në shesh 300 mijë shqiptarë.  Por sot, dua t’ju drejtoj pyetjen: “A ju kujtohet ku ndodheshit atë ditë kur një i ri hypi mbi statujën e Enver Hoxhës dhe turma e rrëzoi në tokë? A ju kujtohet ajo ditë kur shqiptarët më në fund besuan se komunizmi mund të mposhtej?”

Sigurisht, është çmenduri që këtë pyetje e bëj unë si amerikan, pasi kaq shumë prej jush e kanë jetuar atë ditë shumë të rëndësishme.  Megjithatë, gjithmonë i kujtoj vetes që ky vend është një demokraci e re. Kur ndodhi kjo ngjarje, më shumë se gjysma e të gjithë shqiptarëve ishin nën 5 vjeç ose nuk kishin lindur ende. Nëse më lejoni do t’ju lexoj prej librit të kohëve të fundit nga Fred Abrahams, “Shqipëria Moderne”.

“Gratë marshuan dhe burrat i ndoqën pas. Currili i njerëzve u shndërrua në një rrëke dhe shumë shpejt në një lumë të zemëruar… Forcat speciale dhe automjetet ujëhedhëse prisnin aty për të mbrojtur “Bllokun” e shenjtë ku jetonte udhëheqja politike dhe për ta devijuar turmën poshtë bulevardit drejt Sheshit “Skënderbej”.

“Forcat e sigurisë prisnin në shesh.

“Turma u rrit, u zmbraps prej policisë, u sul përsëri prapë, duke fituar besim teksa numri i njerëzve rritej Krenar dhe i vendosur, Hoxha shihte mbi shesh, i veshur me kostum dhe pallto të gjatë, me dorën e majtë pas shpine dhe dorën e djathtë të shtrirë anash. Turma shtynte. Një djalë u ngjit mbi pallton e Hoxhës dhe lidhi një kabëll metali rreth gishtit të madh të dorës së diktatorit. Burrat e tërhoqën nga e majta, ndërsa të tjerët shtynin nga e djathta, dhe trupi i Udhëheqësit nisi të lëkundej sa nga njëra anë në tjetrën. Vetëm pas orës 2 pasdite, u nda nga bazamenti dhe ra, siç mund të pritej, nga ana e majtë e Hoxhës”

Ramiz Alia pati shpallur: “Turma të irrituara, pas asnjë sens logjik, kryen akte vandalizmi.  Ia dolën mbanë të rrëzonin themeluesin e shtetit tonë, Enver Hoxhën.  Tani është krejtësisht e qartë se forcat anti-demokratike kanë një strategji të menduar mirë.  Duan shkatërrimin e shtetit”.  Atë ditë qeveria dha dorëheqjen dhe të nesërmen demonstruesit rrëzuan monumentet e Hoxhës në Korçë dhe në Gjirokastër.

Gjatë vitit tim në Shqipëri, kam takuar shumë njerëz që kishin qenë në Sheshin “Skënderbej” atë ditë historike.  Flasin për ditën kur njerëzit më së fundi besuan që komunizmi kishte marrë fund dhe se Shteti nuk mund t’i rezistonte vullnetit për të ndryshuar.

Dhe çfarë na tregon kjo për situatën tani? Unë besoj se sot vullneti për ndryshim në Shqipëri është i fortë, jo për rrëzimin e statujave apo rrëzimin e qeverive, por për të trajtuar problemet e thella me të cilat përballet kjo shoqëri.

Marrëveshja e javës së shkuar mes qeverisë dhe opozitës për dekriminalizimin është shenja e parë që kam parë se ndryshimi rrënjësor, i pakthyeshëm, po vjen.  Jam duke parë prova që madje ndryshime më të mëdha po vijnë.  Besoj që do të shohim miratimin e shumë reformave të tjera të rëndësishme në ditët dhe javët në vijim, përfshirë edhe ndryshimin më të rëndësishëm ndër të gjithë – reformën në drejtësi.

Së fundi, më lejoni t’ju bëj sërish pyetjen e rëndësishme: “Ku ishit kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës dhe njerëzit besuan përfundimisht se komunizmi mund të mposhtej?”  Nëse nuk kishit lindur ende, ose nëse ishit tepër të vegjël për ta kujtuar atë ditë, ju kërkoj të shkoni tek prindërit ose të merrni telefonin dhe t’u kërkoni t’ju tregojnë historinë e asaj dite që do ta ndryshonte të ardhmen e Shqipërisë përgjithmonë.

Është e rëndësishme të kujtojmë tmerret dhe padrejtësitë e komunizmit.  Por, është po aq e rëndësishme, të kujtojmë ata burra dhe gra të patrembur, të të gjitha prejardhjeve politike dhe nga të gjithë cepat e Shqipërisë, që patën kurajon të rrezikonin jetën e tyre për liritë dhe të drejtat e lirisë që të gjithë shqiptarët gëzojnë sot.  Ata që thërrisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”