Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Aktivitetin për Rolin “Rojtar” të OJQ-ve dhe të Shoqërisë Civile

Përshëndetje të gjithëve dhe mirëmëngjes.

Dua t’ju tregoj një të fshehtë.  Nëse nuk do të isha futur në Departamentin e Shtetit, me siguri tani do isha në një OJQ. Pasi mbarova dy vite me Korpusin e Paqes dhe studimet pasuniversitare, aplikova në disa OJQ për t’u marrë me punë zhvillimi ndërkombëtar, por oferta e vetme që mora për punë ishte nga Departamenti i Shtetit.

Shumë nga ju e njohin bashkëshorten time, Ariel, e cila ka punuar në OJQ për më shumë se 25 vjet.  Kështu, familja jonë është e lumtur që mund të kontribuojë të paktën me një anëtar për shoqërinë civile.

Kur isha në Uashington duke pritur që të vija në Tiranë, disa të ashtuquajtur ekspertë të Shqipërisë më thanë se komuniteti i OJQ-ve këtu ishte i dobët dhe tërësisht i kapur nga partitë politike.  Ata e përdorën këtë analizë për të bindur SHBA dhe donatorët e tjerë që të mos e mbështesnin shoqërinë civile.

Kur erdha këtu dy vite më parë, u habita kur gjeta pikërisht të kundërtën.

  • Shoqëria Civile në Shqipëri është e fortë dhe dinamike.
  • Ajo drejtohet kryesisht nga gra dhe të rinj me energji, entuziazëm dhe optimizëm.
  • Dhe shoqëria civile mund të luajë një rol të rëndësishëm si “rojtare” për korrupsionin në qeveri, në opozitë dhe në sektorin e biznesit.

Kjo është një barrë tejet e madhe që mban shoqëria civile shqiptare për të siguruar ndershmërinë e këtyre personave dhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive si ajo që ndodhi dy ditë më parë.

Të mërkurën, kreu famëkeq i burgosur i krimit të organizuar Lul Berisha u lirua nga burgu për arsye të panjohura. Ai vuajti më pak se gjysmën e dënimit me 25 vite burg, për gjashtë vrasje, trafik droge dhe krim të organizuar. Të gjithë duhet të indinjohemi nga ky lajm dhe duhet t’u themi gjykatave të korruptuara se në një demokraci kjo është e papranueshme.

E pranojmë se kjo nuk është e lehtë për t’u bërë. Ne duam t’ju mbështesim në këtë përpjekje.  Për këtë arsye po fillojmë këtë nismë për të nxitur organizatat dhe vetë aktivistët që të ngrenë zërin dhe të kërkojnë ndryshim.

Do ta përfundoj duke falenderuar Co-Plan dhe Partnerët Shqipëri për udhëheqjen e tyre në zhvillimin e këtij programi të shkëlqyer.  Gjithashtu dëshiroj të vlerësoj Atlas Corps që ka krijuar një program të veçantë bursash për tetë drejtues të rinj shqiptarë OJQ-sh që të punojnë për një vit me OJQ në Shtetet e Bashkuara.

Duam që të jeni “rojtarë” të ashpër.  Duam që të jeni të prerë dhe të pavarur. Dhe duam që të jeni të guximshëm.

Faleminderit shumë.