Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Aktivitetin e Regjistrimeve Audio Digjitale

Kryetar i Gjykatës së Lartë Zaganjori, Ministër Naço, gjykatës, inspektorë, zonja dhe zotërinj,

Si mund ta kuptojnë qytetarët shqiptarë se cilët gjykatës e prokurorë janë të korruptuar dhe cilët gjykatës e prokurorë janë të ndershëm dhe e bëjnë mirë punën e tyre? Si mund ta rifitojnë qytetarët shqiptarë besimin në sistemin e tyre gjyqësor që ai  të japë drejtësi pa marrë në këmbim një çantë të madhe me para?

Njëra prej rrugëve më të rëndësishme për një sistem gjyqësor më të ndershëm është përmes reformës gjyqësore gjithëpërfshirëse.  Ekspertë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës kanë investuar vite përpjekje në mbështetje të kësaj reforme.  Deputeti Eduard Halimi bëri me dije javën e shkuar që opozita do të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në komisionin që e udhëheq këtë reformë.  Të gjithë shqiptarët duhet të ndihen të sigurtë  që ky proces po ecën përpara.

Një mënyrë tjetër se si shqiptarët mund të nisin të rindërtojnë besimin e tyre në sistemin e tyre ligjor është përmes prezantimit të teknologjive të reja –teknologji që i mbajnë gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët llogaridhënës. Ne jemi krenarë që përmes USAID-it, të gjitha gjykatat shqiptare do të kenë mundësinë të regjistrojnë seancat gjyqësore në një mënyrë që është e arritshme prej gjykatësve, inspektorëve dhe publikut.  Këto regjistrime digjitale mbahen në shkallë vendore, por ruhen edhe në serverin kompjuterik në Tiranë, në mënyrë që të mos fshihen, të mos humbasin dhe të mos shkruhet sipër tyre.

Regjistrimi audio digjital e ka ndihmuar tashmë sistemin ligjor shqiptar në dy mënyra të rëndësishme. Së pari, e bën më pak të mundur që gjykatësit, prokurorët dhe avokatët të marrin një vendim ose të paraqesin një deklaratë në bazë të rryshfetit pasi ata e dinë se gjithçka që janë duke bërë është duke u regjistruar dhe mund të përdoret si provë kundër tyre.

Së dyti, sistemi ligjor është i ngadalshëm në Shqipëri për shkak të numrit të lartë të çështjeve gjyqësore dhe mungesës së gjykatësve dhe sallave të gjyqit. Regjistrimi digjital përshpejton çdo seancë gjyqësore pasi gjykatësit nuk duhet të presin më që mbajtësi i procesverbalit të mbajë shënim çdo fjalë.  Regjistrimi digjital nxit gjithashtu procedura më të mira në sallën e gjyqit dhe një mjedis më serioz, pasi askush nuk dëshiron të bëjë gabime që mbahen të regjistruara përgjithmonë.

Së fundi, jo vetëm që na intereson që qytetarët e zakonshëm të marrin drejtësi prej gjykatave të tyre. Por, shpresojmë që përmes reformës në drejtësi dhe prezantimit të kësaj teknologjie të re, më shumë kriminelë të dhunshëm, personazhe të krimit të organizuar dhe zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë të mund të dënohen dhe të shkojnë në burg.  Jam i mendimit që të gjithë do të binim dakord se Shqipëria do të ishte më mirë me më pak kriminelë që lëvizin në rrugët e saj.

Urime Kryetarit të Gjykatës së Lartë Zaganjori dhe gjykatësve të tjerë të shumtë që e kanë mirëpritur këtë teknologji të re.  Urime Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë që e kanë pranuar regjistrimin digjital dhe që e kanë bërë të detyrueshëm përdorimin e tij.  Urime Programit “JuST”  (për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri) për punën e tij të shkëlqyer për instalimin e sistemit në çdo sallë gjyqi në Shqipëri dhe për trajnimin e qindra përdoruesve të tij.  Dhe më e rëndësishmja, urime popullit shqiptar që lufton për drejtësinë dhe për një sistem drejtësie të lirë nga korrupsioni.