Fjala e Ambasadorit Donald Lu gjatë Mbylljes së Simpoziumit për Antikorrupsionin

I nderuar President Bujar Nishani, zonja dhe zotërinj,

Gjatë tri ditëve të kësaj konference keni dëgjuar se si është luftuar korrupsioni në Rumani, Kroaci dhe në Shtetet e Bashkuara.  Në secilin prej këtyre rasteve, ky nuk u luftua nga të huajt, por u luftua nga prokurorë, policë, gazetarë dhe gjyqtarë me kurajo të tre vendeve.  Kjo nuk u arrit nga të huajt dhe sigurisht që nuk u arrit nga politikanët.

Prandaj pyetja me të cilën ju lë është: si do të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri?

Kjo nis me vetingun, me vetingun e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në fillim të vitit të ardhshëm.  Pasi të jenë rivlerësuar mjaftueshëm prokurorë, prokurorët e pastër do të përzgjedhin anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.  Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përzgjedhë kryeprokurorin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).  Prokurorët e lartë të SPAK-ut do të përzgjedhin drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Është bërë shumë kujdes për të ndërtuar një sistem që është i pavarur dhe i izoluar nga trysnitë politike. Gjithashtu, kjo do të kërkojë që populli shqiptar ta vëzhgojë këtë proces me shumë kujdes, për t’u siguruar që as edhe një politikan i vetëm, as edhe një gjyqtar i vetëm, e as edhe një prokuror i vetëm të mos mundet të manipulojë ose të ndikojë rezultatin e këtij sistemi.

Gjithashtu i jemi mirënjohës Komisionit të Venecias për këshillat e urta.  Jam dakord me Dr. Sali Berishën, i cili ka thënë para disa kohësh se opinioni i Komisionit të Venecias ofron një bazë solide për t’i dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë.  Dr. Berisha tha se beson që të gjitha forcat politike shqiptare duhet të mbështesin këshillën e urtë të Presidentit të Komisionit të Venecias.

Përgjegjësia e sigurimit të institucioneve të pastra për të luftuar korrupsionin i takon popullit shqiptar, shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Kam besim në mençurinë e popullit shqiptar. Ai është i zgjuar dhe i paepur. Dhe është i lodhur nga korrupsioni në këtë vend.