Fjala e Ambasadorit Donald Lu gjatë Konferencës Vjetore të Avokatit të Popullit

Avokat i Popullit Dr. Totozani, ambasadorë të nderuar, anëtarë të shoqërisë civile, zonja dhe zotërinj,

Përpara se të flas për punën e rëndësishme të Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut, doja të vlerësoja sesionin e rëndësishëm që po zhvillohet tani në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Sot ata do të diskutojnë dhe do të votojnë në parim për pranimin e draftit që përfshin rekomandimet e Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Shpresojmë që të jetë një votim unanim pro saj, i cili do të tregojë unitetin kombëtar për këtë reformë që kërkon populli shqiptar. Të gjithë po e ndjekim këtë proces nga afër.

Njëzetë e dy vite me parë, kur isha më i ri dhe djalosh më i pashëm, isha zyrtar për të drejtat e njeriut në Ambasadën e SHBA-së në Tbilis, Gjeorgji. Ishte kaos aty në atë kohë.  Lufta civile në Abkazi sapo kishte përfunduar.  Krerët e krimit të organizuar mbushnin rrugët dhe njerëzit torturoheshin ende në burgjet e ish-KGB-së.

Si zyrtar i të drejtave të njeriut kisha shumë për të shkruar.  Presidenti i atëhershëm, Eduard Shevernaze, donte që Ambasada e SHBA-së të zbulonte historitë e torturave që zhvilloheshin në burgjet që ishin të kontrolluara nga shefi filorus i KGB-së, i cili më pas u përpoq ta vriste Shevernazen.  Na ishte dhënë akses nga Presidenti tek të burgosurit që ishin torturuar kohët e fundit, ndërsa zyrtarët e burgut na filmonin dhe përpiqeshin të na frikësonin.  Udhëtuam gjithashtu në Abkazinë Jugore, ku gjeorgjianët etnikë qenë torturuar dhe vrarë nga abkhazët etnikë. Nuk do t’i harroj kurrë vizitat në ish-shkollat, të cilat qenë përdorur si qendra torture, me njolla gjaku që mbulonin muret.

E tregoj këtë histori për shkak se puna për të drejtat e njeriut nuk është për ata që frikësohen lehtësisht. Nuk është për njerëzit që nuk i tremben sfidimit të zyrtarëve të fuqishëm.  Nuk është për njerëzit të cilëve u mungon ndjeshmëria për bashkëqytetarët e tyre.

Dhe kjo është arsyeja se përse Igli Totozani dhe personeli i tij janë kaq të mirë në atë që bëjnë. Ata janë të gatshëm t’i thonë të vërtetën pushtetit dhe të sfidojnë autoritetin kur shohin padrejtësi.  Por, më e rëndësishmja, ata e ndjejnë fort vuajtjen dhe diskriminimin e bashkëatdhetarëve shqiptarë.

Këtë vit, Ambasada e SHBA-së është krenare që ka punuar me Avokatin e Popullit për të përmirësuar jetët e personave me aftësi të kufizuara, për të çuar përpara të drejtat e komunitetit LGBT dhe për të kërkuar strehim më të sigurtë dhe më dinjitoz për familjet rome në Tiranë.

Dr. Totozani ka një bashkëpunim të shkëlqyer me komunitetin ndërkombëtar. Ai ka marrëdhënie të forta me shoqërinë civile.  Ajo që shoh të mungojë është gatishmëria e qeverisë për të pasur dialog me Avokatin e Popullit dhe për të pranuar se ndonjëherë ata gabojnë.

Unë jam punonjës i qeverisë dhe e pranoj se ndonjëherë bëj gabime.  Shpresoj që të mund të shohim më shumë përulësi dhe gatishmëri nga miqtë tanë në qeverinë shqiptare për të bashkëpunuar për të drejtat e njeriut.

Urime të gjithë ekipit të zyrës së Avokatit të Popullit për përfundimin e raportit të tyre të shkëlqyer vjetor mbi të drejtat e njeriut. Kam ndër mend të pyes çdo zyrtar të lartë të qeverisë që takoj, nëse ai ose ajo e ka lexuar raportin e Dr. Totozanit.