Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Nisjen e Programit “Angazhimi i të Rinjve për një Komunitet të Qëndrueshëm”

Kryetar Spahiu, Zëvendës Ministre Tole, Ambasador Del Monaco, Zëvendës Drejtor Dervishaj,  Koordinatore Kombëtare për Qendrën e CVE Dervishi, të ftuar të nderuar.

Jam e nderuar të jem sot këtu ndërsa Komuniteti Mysliman Shqiptar rifillon programin e tij për ndërtimin e qëndrueshmërisë tek të rinjtë dhe për forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Ju mund të më keni dëgjuar të them se Shtetet e Bashkuara kanë tre shtylla të angazhimit me Shqipërinë: demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Por mund të mos e keni menduar se ju jeni një partner aktiv në ato përpjekje. Puna juaj përmes këtij projekti po çon përpara synimet tona të përbashkëta për forcimin e demokracisë shqiptare dhe forcimin e mbrojtjes sonë të përbashkët. Një punë e tillë nuk është e lehtë. Duhet kohë dhe përkushtim. Por, ju i keni përqendruar përpjekjet tuaja atje ku do të kenë ndikimin më të madh afatgjatë: tek të rinjtë që do t’i japin formë të ardhmes së Shqipërisë.

Që nga viti 2014, Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) ka qenë në partneritet me Ambasadën e SHBA për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm, përmes projekteve si ky që po nisim sot. Duke përfituar nga shtrirja e tij e pashembullt dhe rezervat e thella të besimit në komunitetet e synuara, KMSH përdor aktivitete sociale dhe seminare për t’iu mësuar të rinjve në rrezik parimet demokratike, të drejtat e njeriut, detyrat qytetare dhe tolerancën. Përfituesit e rinj nuk mësojnë thjesht në mënyrë pasive, por nxiten të bëhen vendimmarrës, të gatshëm për t’u përfshirë në demokracinë pjesëmarrëse. Këto janë aftësi thelbësore për të ndërtuar një ndjenjë të fortë identiteti, përkatësie dhe autonomie. Prindërit dhe drejtuesit vendorë gjithashtu marrin informacion për të ndihmuar në njohjen dhe trajtimin e radikalizimit brenda komuniteteve të tyre.

Nëpërmjet këtij projekti, i pesti i këtij lloji, KMSH do të shtrijë sërish modelin e tij në komunitete të reja. Ai gjithashtu do të përfshijë, për herë të parë, vajza dhe gra të reja të moshës 14-25 vjeçe, në programet kundër ekstremizmit të dhunshëm, gjë që do ta përafrojë më mirë projektin me normat ndërkombëtare gjinore për gratë, paqen dhe sigurinë. I marrë në tërësi, projekti i KMSH mbështet zbatimin e Strategjisë Kombëtare të vendit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me një qasje të re dhe novatore.

Ky projekt ka rëndësi; puna juaj ka rëndësi. Nëse lihen të acarohet më tej, gjuha e urrejtjes dhe radikalizimi mund të minojnë demokracitë që në themel të tyre. Kam mësuar që keni prekur mbi 1,600 të rinj shqiptarë përmes programimit të viteve të kaluara. Për shkak të përpjekjeve tuaja, ata të rinj – dhe komunitetet e tyre – e kuptojnë më mirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe tolerancën, duke i bërë më të qëndrueshëm ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Është e rëndësishme që kjo punë të vazhdojë.

Ndërsa festojmë këtë vit 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, ky projekt shërben si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit SHBA-Shqipëri. Ne kemi arritur shumë së bashku, veçanërisht në çuarjen përpara të demokracisë dhe zgjerimin e sigurisë përmes mbrojtjes së përbashkët. Ndërsa shohim përpara dhe angazhojmë këtë brez të ardhshëm udhëheqësish, festojmë bashkëpunimin dhe arritjet tona. Ashtu si Shqipëria vazhdon t’i tregojë vendeve të tjera rrugën për përkrahjen e harmonisë ndërfetare dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, unë ju shpreh angazhimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të qenë me ju në çdo hap të saj, “krah për krah”. Ne jemi krenarë t’ju quajmë mik dhe aleat.

Ju uroj shumë suksese me këtë projekt dhe punën tuaj të nderuar.

Faleminderit!