Flag

An official website of the United States government

Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Forumin “Vëllazëri në Humanizëm” të Këshillit Ndërfetar
4 MINUTA LEXUAR
10 Shkurt, 2022

Ambassador Kim speaks at a podium onstage with a panel of people

Faleminderit Sekretar i Përgjithshëm Kruja. Të dashur anëtarë të Këshillit Ndërfetar dhe të ftuar të shquar. Jam e nderuar që jam këtu me ju sot ndërsa Këshilli Ndërfetar Shqiptar njeh “Vëllazërinë në Humanizëm” që ne ndajmë bashkë. Jam veçanërisht e nderuar të jem këtu, ndërsa këtë vit nisim 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Unë do të shfrytëzoj çdo mundësi për të theksuar vlerat tona të përbashkëta të tolerancës dhe të përfshirjes.

Nuk është e tepruar të thuhet se Shqipëria shihet si një lider botëror kur bëhet fjalë për lirinë fetare dhe harmoninë ndërfetare.  Këtë vit e kemi parë Shqipërinë në skenën globale, si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke folur për të drejtat e njeriut dhe sigurinë njerëzore në mbarë botën. Zëri juaj është veçanërisht i fuqishëm për shkak të historisë së Shqipërisë dhe të vlerave të Shqipërisë. Që nga tradita shqiptare e Besës dhe mbrojtja e refugjatëve hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri te mbajtja e qëndrimit në Kombet e Bashkuara për ujgurët myslimanë të persekutuar, Shqipëria ka mbrojtur lirinë fetare dhe të drejtat e pakicave fetare. Në bazë të kësaj tradite, Shqipëria po mirëpret mbi 2,200 afganë që u arratisën prej talebanëve verën e kaluar. Populli shqiptar ka përqafuar gjithmonë mundësinë për të ndihmuar një grup njerëzish në nevojë.

Tradita e tolerancës, pranimit dhe bashkëpunimit vazhdon edhe sot e kësaj dite siç dëshmohet nga Këshilli Ndërfetar që përfaqëson pesë grupimet kryesore fetare të Shqipërisë, i cili është një model produktiv për t’u imituar. E përgëzoj Këshillin për punën e tij të shkëlqyer për të nxitur dialogun dhe harmoninë ndërfetare, brenda dhe jashtë vendit.

Kam jetuar në vende të ndryshme gjatë karrierës sime si diplomate, që nga Lindja e Largët në Lindjen e Mesme. Kur bëhet fjalë për harmoninë ndërfetare, Shqipëria është shumë e veçantë. Mjafton të hidhni sytë përreth kësaj salle. Ose të ecim në rrugë duke kaluar pranë xhamive, katedraleve, kishave dhe teqeve. Kam dëgjuar histori të ndryshme në bisedat me personelin tim shqiptar. Një baba ortodoks dhe nënë myslimane. Një gjysh bektashi dhe gjyshe katolike. Vëllezër e motra ungjillorë. Por, një familje. Një familje shqiptare.

Pa dyshim, Shqipëria është një shembull i ndritshëm për vendet e tjera dhe shoqëritë shumëetnike. Por, harmonia fetare nuk është dhe nuk duhet marrë si e mirëqenë. Vetëm shikoni vendet e tjera anembanë botës ku mosmarrëveshjet fetare tensionojnë shoqërinë civile apo më keq, liria për të adhuruar është e shtypur dhe kritikat fetare janë të imponuara nga qeveria. Për të arritur atë që ka Shqipëria, kërkohet një angazhim dhe respekt i palëkundur për të drejtat tona më elementare – e drejta për të menduar lirisht, për të ndjekur besimet tona dhe për t’i shprehur këto besime privatisht dhe publikisht.

Shqipëria vazhdoftë të shërbejë si një shembull respekti, mirëkuptimi dhe Vëllazërie në humanizëm! Faleminderit!