Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Ceremoninë për 30 vjetorin e Rivendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike

Olta, Ministre Xhaçka, Sekretar i Përgjithshëm Skapi, Drejtoreshë Dibra, të dashur miq. Faleminderit shumë që organizuat këtë aktivitet të sotëm. Sot shënojmë një moment shumë të rëndësishëm, 30 vjetorin e rivendosjes së lidhjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Për 50 vite kemi qënë të ndarë. E megjithatë, gjatë atyre 50 viteve, mendoj se ne e ruajtëm lidhjen midis zemrave tona, midis popujve tanë, përfshirë edhe nëpërmjet Zërit të Amerikës. Por në 15 mars 1991, e bëmë formale, e bëmë zyrtare dhe është nder për mua të jem Ambasadorja që është e pranishme për këtë moment.

Këtë javë, do të zhvillojmë një sërë aktivitetesh për të festuar këtë përvjetor por gjithashtu do të festojmë edhe përparimin e Shqipërisë si një vend demokratik, të gjitha reformat që keni bërë, përparimin që është bërë.

E di që nga dita në ditë, mund të humbasim dhe harrojmë mund të shohim përparimin që është bërë, por mendoj se, nëse 1991 me 2021, të gjithë ne duhet ta pranojmë se kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme.

Ia kemi dalë së bashku.

Ky vend dikur njihej si “Koreja e Veriut e Evropës”. Sot, ju jeni shndërruar në një aleate të palëkundur, partnere dhe një mike e dashur e Shteteve të Bashkuara. Tridhjetë vjet më parë, populli i Shqipërisë u çlirua nga zinxhirët e diktaturës dhe komunizmit, dhe Shtetet e Bashkuara e kapën me krenari dorën shqiptare që ishte zgjatur drejt saj, lirisht, me sinqeritet, në miqësi.

Gjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për një gamë të shumë qëllimeve dhe përparësive të përbashkëta, përfshirë luftën ndaj korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokratizimin, sigurinë evropiane dhe zgjerimin e lidhjeve transatlantike.

Është një kënaqësi të shoh ekspozitën e sotme – për të parë se si vendosëm marrëdhëniet diplomatike, se si rihapëm Ambasadën tonë, se si mbështetëm njëri-tjetrin në disa çaste shumë të vështira, ne e mirëpritëm me kënaqësi Shqipërinë në NATO dhe po presim me kënaqësi ditën kur ju të jeni anëtare e plotë e Bashkimit Europian. Ne jemi gjithashtu të kënaqur që amerikanët kanë ardhur në Shqipëri në shumë mënyra, jo vetëm si dioplomatë, por edhe me Vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes, të cilat kanë shkuar në çdo cep të këtij vendi dhe janë larguar duke lënë zemrat e tyre përgjithmonë në Shqipëri.

Si një shenjë tjetër të përparimit që është bërë që nga viti 1991, këtë vit, jemi duke transformuar praninë e misionit të USAID-it nga një model klasik donator-përfitues, në atë të përcaktuar gjithnjë e më shumë nga partneriteti. Gjatë 30 viteve të fundit, populli i Shteteve të Bashkuara i ka ofruar Shqipërisë mbi 1.1 miliard dollarë ndihmë, të cilën e kemi përdorur për të trajtuar sfidat në demokraci, mbrojtje dhe biznes, mes çështjeve të tjera. Si pjesë e këtij kontributi, misioni ynë i USAID-it dhe partnerët e tyre vendorë kanë mbështetur reforma të rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë si partnerë.

Sot, Shqipëria është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë krenare t’ju mbështesin, ndërsa bëni ndryshimet e nevojshme për këtë përpjekje historike. Vendimi i BE-së për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë në fund të marsit të shkuar është dëshmi e përparimit thelbësor dhe të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Nuk ka qenë e lehtë por ka qenë e nevojshme dhe ju e keni bërë të gjithë punën e vështirë. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të lehtësojë rritjen e stabilitetit rajonal e lidhshmërinë politike dhe ekonomike në Evropë dhe në partneritetin transatlantik. Presim me kënaqësi të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe të punojmë me ju për të arritur këtë qëllim të përbashkët.

Angazhimi ynë i përbashkët për sigurinë mishërohet më së qarti në partneritetin tonë të fuqishëm brenda aleancës së NATO-s. I jemi mirënjohës Shqipërisë për rolin e saj udhëheqës në përkrahjen e sigurisë rajonale dhe globale përmes kontributeve të saj si anëtare e NATO-s. Presim me kënaqësi të qëndrojmë krah për krah me ju për 30 vitet e ardhshëm dhe më tej.

Shqipëria ka bërë gjithashtu përpjekje të mëdha në forume të tjera. Udhëheqja e Shqipërisë vitin e kaluar si Kryesuese e OSBE-së, përmes sfidave të pashembullta të pandemisë së COVID-19, është dëshmi e kontributeve të shumta që Shqipëria mund të japë në skenën botërore. Shtetet e Bashkuara presin me interes të madh ta shohin Shqipërinë të marrë përsipër edhe më shumë përgjegjësi në rajon dhe në botë.

Ka qenë një nder të drejtoj ekipin e Ambasadës së Sh.B.A. në Tiranë këta 14 muajt e fundit. Më ka pëlqyer të njoh njerëzit e Shqipërisë, me kulturën tuaj të pasur, peisazhet tuaja të bukura dhe sigurisht mikpritjen tuaj të mirënjohur.

Nuk kam dyshim që sëbashku, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, populli shqiptar dhe populli amerikan, ne do të vazhdojmë të përparojmë drejt vizionit tonë të përbashkët, duke rritur marrëdhëniet tona dypalëshe dhe lidhjet mes njerëzve, të cilat janë energjike. Dhe pres me kënaqësi të shoh atë që mund të arrijmë së bashku në 30 vitet e ardhshme. Gëzuar! Faleminderit shumë për festimin!