Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Ceremoninë e Nënshkrimit për Helikopterët UH-60 Blackhawk

* Ministre Xhaçka, Gjeneral Kollçaku dhe të ftuar të nderuar,

Së pari, dua të falënderoj mikpritësin Nënkolonel Dulematën që më mikpriti në Bazën Ajrore të Farkës, shtëpinë e ardhshme të Blackhawks. Shpresoj që kjo të jetë vizita ime e parë ndër të shumtat në objektet ushtarake shqiptare, ndërsa vazhdojmë të zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes.

Siç mund ta dini, një nga tre prioritetet e mia kryesore është forcimi i bashkëpunimit për mbrojtjen në mënyrë që Shqipëria të jetë një aleate edhe më e aftë e NATO-s. Kur këta helikoptërë shumërolësh do të vijnë këtu, do të ndihen si në shtëpi këtu midis ekipit tuaj profesionist, punëtor dhe do të jenë të gatshëm që t’i përdorni për të mbështetur misionin e Forcave Ajrore, popullin shqiptar dhe Aleancën e NATO-s. Ju vendosni një standard të lartë për t’u ndjekur nga të tjerët.

Ministre Xhaçka, faleminderit që më dhatë mundësinë të bashkohem sot në nënshkrimin e Letrës së Ofertës dhe Pranimit të Helikopterëve UH-60 Blackhawk. Ju mund të prisni që këta avionë të mahnitshëm, të ngritur në fluturim nga pilotët tuaj të guximshëm, të kryejnë misione të ndryshme për shumë vite që do të vijnë. Ata mund të kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi, të luftojnë zjarret dhe të transportojnë trupa drejt luftimeve dhe jashtë tyre, mes të tjerash. Së bashku me avionët, ky program mbulon trajnime për pilotët, ekuipazhin dhe ekuipazhet e mirëmbajtjes, mbështetjen me pjesë këmbimi dhe më e rëndësishmja, ndihmën për reformat institucionale për të përshtatur taktikat, teknikat dhe procedurat për të siguruar që këta avionë të mbeten frytdhënës për një kohë të gjatë në të ardhmen.

Ky program përfaqëson shkëlqyeshëm dy aleatë që punojnë së bashku për të arritur qëllime të përbashkëta të sigurisë. Siç e dini, ky nuk është vetëm një dhurim i pajisjeve amerikane të mbrojtjes. Ky është një program i financuar bashkërisht, ku si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Shqipëria ndajnë përgjegjësinë financiare për të mbrojtur Aleancën. Shqipëria vazhdon të godasë përtej peshës së saj me kontributet e trupave në Aleancë. Ky është një shembull tjetër se si Shqipëria blen kapacitete dhe jo thjesht pajisje. Këta Helikopterë Blackhawk dhe financimi i përbashkët i tyre tregojnë se, dita ditës, Shqipëria po bëhet një aleate edhe më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë i sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë “krah për krah” sot, do të qëndrojmë “krah për krah” nesër dhe të gjitha të nesërmet që vijnë më pas.

Faleminderit që më lejuat të bashkohem me ju sot. Pres me kënaqësi ta shoh këtë vend të mahnitshëm nga ajri sapo ata të mbërrijnë.

*fjalimi i parapërgatitur