Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Ceremoninë e Diplomimit të Kursit të Poligrafit

Ministër Lleshaj, Ambasador Soreca, Drejtor Rrumbullaku, Drejtor i Policisë së Shtetit Veliu, të diplomuar: faleminderit që ndani me mua këtë gur kilometrik të rëndësishëm në përparimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Jam shumë e kënaqur që jam këtu sot për të shënuar suksesin e këtyre pesë studentëve të përkushtuar të cilët iu kushtuan me zell përfundimit të 400 orëve mësimi sfidues teorik dhe praktik në shkencën e poligrafisë. Ata kanë studiuar fiziologji njerëzore, psikologji, teknika të intervistimit dhe interpretim të rezultateve të testit. Instruktorja e tyre ka vlerësuar në mënyrë të përsëritur përkushtimin dhe disiplinën e tyre gjatë gjithë kursit.

Do të doja të merrja një çast për të falënderuar edhe instruktoren e tyre, Zj. Lori Kosiarek, përkushtimi dhe profesionalizmi i së cilës ka qenë shembullor. Ajo e ka bërë këtë kurs dhe këta studentë qendrën e jetës së saj që nga shtatori i vitit të kaluar dhe do të vazhdojë të punojë me ta ndërsa vënë në praktikë aftësitë e reja të përftuara prej tyre. Lori, ne vërtetë e vlerësojmë përkushtimin tënd për këtë projekt. Pavarësisht sa i rëndësishëm është ky moment personalisht për studentët, Shtetet e Bashkuara i japin një rëndësi edhe më të madhe domethënies së trajnimit i tyre për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Ligji për SPAK kërkon që të gjithë punonjësit e BKH-së t’i nënshtrohen ekzaminimit me poligraf para punësimit.

Këta ekzaminues dhe pajisja e dhurar nga Shtetet e Bashkuara, sigurojnë aftësinë për ta zbatuar atë ligj. Ato janë një tjetër armë në arsenalin e qeverisë shqiptare për të zbuluar dhe larguar individët e korruptuar nga radhët e ligjzbatuesve. Përveç të festuarit për diplomimin e ekzaminuesve, jemi sot këtu për të përuruar themelimin e njësisë së poligrafit brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Njësia do të fillojë të kryejë kontrollin e kandidatëve për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit më vonë gjatë kësaj jave — një hap vërtetë domethënës për ta bërë BKH-në realitet. Drejtor Rrumbullaku, tanimë i takon organizatës suaj të sigurojë përdorimin e efektshëm dhe efikas të kësaj njësie në një mënyrë të paanshme që respekton të drejtat e njeriut.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë në këtë detyrë dhe në funksione të tjera vendimtare, gjatë vitit të ardhshëm. Sikurse me përparimin në fushat e tjera të reformës në drejtësi, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë vendosmërisht me Qeverinë e Shqipërisë, ndërsa largon korrupsionin nga sistemi i drejtësisë penale. Kjo punë duhet të vazhdojë në të gjithë spektrin e gjerë të sistemit të drejtësisë.

Ju shpreh përgëzimet e mia të sinqerta juve si të diplomuar dhe Drejtor Rrumbullakut. Gjithashtu ju paraqes këtë sfidë: Ju jeni vendosur në një pozicion unik për të sjellë ndryshime pozitive për të gjithë shqiptarët – për të siguruar një të ardhme të integritetit.  Kapeni mundësinë që e keni fituar përmes përkushtimit dhe punës tuaj të madhe. Përdorini këto aftësi për të sjellë ndryshim!

Faleminderit!