Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Aktivitetin e “Udhërrëfyesit për Funksionalitetin e Gjykatës së Lartë”

Faleminderit shumë! Jam e lumtur që arritëm të gjenim një mënyrë për ta mbajtur këtë takim së bashku edhe pse COVID-19 na ndalon për t’u takuar nga afër.

Kjo është një kohë sfiduese, prandaj vullneti dhe aftësia juaj për t’u përshatur janë më të rëndësishme se kurrë. Kjo është një periudhë e vështirë për të gjithë. Nuk ka asnjë fushë të vetme të jetës, publike apo private, të pandikuar nga pandemia aktuale globale. Në të gjithë botën, udhëheqësit po gjejnë rrugën e tyre përmes rrethanave jashtëzakonisht të vështira. Si në çdo krizë, udhëheqësia po testohet – por mbetet një e vërtetë thelbësore: ne vazhdojmë të mbështetemi në komunikim të qartë dhe të hapur, krijueshmëri dhe qëndrueshmëri për të frymëzuar dhe për të fuqizuar ekipet tona që të punojnë në mënyrë më të zgjuar dhe të mbeten të bashkuar në vizionin dhe qëllimin tonë, pavarësisht sfidave me të cilat përballemi.

Për rrjedhojë, të gjithë e kuptojmë se sistemet gjyqësore me performancë të mirë ngrihen mbi një themel të fortë për ndërtimin e lidhjeve të besimit publik; duke u përqëndruar në përgjegjshmëri dhe transparencë; dhe përfshirjen në komunikim proaktiv.

Për këtë qëllim – ndërsa përballeni me sfidat e COVID-19 dhe madje disa ende po e rimarrin veten nga tërmeti – unë nxis çdo anëtar të Këshillit, çdo Kryetar Gjykate dhe Zëvendës Kryetar, që të ruajë fokusin në fuqitë e përgjegjësisë dhe mundësisë për të qëndruar në shtegun e duhur. Të gjithë e dimë se rruga e duhur nuk është shpesh e lehtë. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në Shqipëri. Ju kërkoj që secili prej jush të komunikojë më shumë me njëri-tjetrin dhe publikun, të organizoni strategji krijuese dhe të efektshme për të farkëtuar sistemin e drejtësisë që populli shqiptar kërkon dhe meriton, dhe për ta bërë këtë në mënyrë transparente. Udhëheqja juaj kolektive dhe e suksesshme do të lërë një trashëgimi të çmuar – për fëmijët tuaj dhe fëmjët e fëmijëve tuaj. Të trashëgosh një sistem të fortë drejtësie që mund të shërbejë si themel i përparimit ekonomik, shtetit ligjor për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e njeriut dhe stabilitetin shoqëror të bazuar në respektimin e parimit të barazisë.

Menaxhimi i krizave nuk është thjesht administrimi i krizës. Por është të menaxhuarit PËRGJATË krizës, për të siguruar që të përmbushen si rrethanat e jashtëzakonshme, ashtu edhe qëllimet dhe objektivat e çdo dite. Gjykata e Lartë është një shembull i përsosur i kësaj. Gjykata tani përballet me një sfidë të jashtëzakonshme me COVID-19, por kjo nuk do të thotë që puna ndalet. Nuk do të thotë që qytetarëve duhet t’iu mohohen shërbimet ose që Këshilli i Lartë Gjyqësor të ndalojë emërimet e gjyqtarëve, këshilltarëve juridikë ose mekanizmave të tjerë mbështetës. Përkundrazi, këto burime shtesë bëhen edhe më kritike për funksionalitetin e përgjithshëm dhe të vazhdueshëm të gjykatës.

Të siguruarit që Gjykata e Lartë është funksionale – është thelbi i asaj se pse jemi sot këtu. Gjykata e Lartë ka shumë detyrime. Nëse Gjykata e Lartë nuk është funksionale, drejtësia jo vetëm që vonohet; por mohohet. Nëse nuk është funksionale, gjykatat e niveleve më të ulëta vuajnë nga mungesa e udhëzimeve për standardizimin e praktikës, që do të thotë se qytetarët mund të mos gëzojnë një drejtësi të balancuar të drejtësisë. Nëse nuk është funksionale, edhe Gjykata juaj Kushtetuese gjithashtu nuk mund të jetë funksionale, e cila më tej degradon të drejtën e çdo qytetari për ndihmë dhe pengon një funksion të rëndësishëm të funksionimit të ndarjes së pushteve (kontrollit dhe balancës) në qeveri. Mungesa e një Gjykate të Lartë funksionale vonon gjithashtu përparimin e pranimit të Shqipërisë në BE, gjë që, sërish prek çdo qytetar në këtë vend.

Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e drejtësisë në Shqipëri, siç e dini, ashtu si edhe synimet tuaja për anëtarësim. Mbështetja jonë është e palëkundur dhe do të mbetet e tillë. Prandaj jam personalisht e angazhuar si përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri për të bërë gjithçka mundem për të mbështetur ringritjen e Gjykatës së Lartë, për të vënë një tjetër gur për të arritur më gjerë objektivat demokratike dhe të sigurisë.

Unë i bëj thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të rifuqizojë zotimin tuaj të përgjegjësisë dhe të angazhimit për të ringritur Gjykatën e Lartë. Mbetem besimplotë që sot do të kemi një diskutim të frytshëm, një që përshkruan pritjet tona. Mirëpres diskutimet e përqendruara në zgjidhje proaktive, për shembull për të siguruar që qytetarët të cilët janë palë në më shumë se 35,000 çështje gjyqësore që presin në gjykatë do të kenë një gjykatë të ringritur dhe një ndjenjë shprese të rivendosur. Dhe pres të ndaj se si BE dhe Shtetet e Bashkuara mund t’ju mbështesin në këto zgjidhje konkrete.

Më lejoni të them se reforma në drejtësi është në një fazë kritike. Ju luani një rol i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Më kujtohet kur u takuam muaj më parë në Ambasadë, kur sapo kisha ardhur në Shqipëri. Patëm një diskutim të mirë dhe, në atë kontekst, mund t’ju kem quajtur heronjtë e Shqipërisë. Dhe është e vërtetë. Por herozimi nuk është falas, nuk është i lehtë, kërkon sakrifica, kërkon vendime të guximshme, ndonjëherë kërkon të jesh jo i pëlqyer dhe jo popullor, dhe kërkon aftësinë për t’u përballur me presione dhe sulme. Unë e di që ju sulmojnë. E di. Shpresoj të qëndroni të fortë. Sepse ky është një moment vërtet shumë i rëndësishëm. Nëse i dorëzoheni presionit tani, nëse vendosni të mos bëni gjënë e duhur sepse është më e lehtë të shmangësh konfliktin, atëherë nuk do të jeni heronj, nuk do të nderoheni. Këtë jua garantoj. Por nëse bëni gjënë e duhur në këtë moment të rëndësishëm, njerëzit do e mbajnë mend, unë do e mbaj mend, Shtetet e Bashkuara do e mbajnë mend se çfarë keni bërë ju në këtë moment shumë, shumë të rëndësishëm.

Faleminderit për mundësinë e kësaj mbledhjeje dhe mirëpres diskutimin tonë.