Flag

An official website of the United States government

Fjala e Ambasadores së SHBA Yuri Kim në Sesionin Hapës të Konferencës “Qytetet Inteligjente”
7 MINUTA LEXUAR
20 Shtator, 2022

Remarks by U.S. Ambassador Yuri Kim

 

Jam shumë e mërzitur këtë mëngjes! Do ju them përse. Jam shumë e mërzitur sepse po shoh axhendën dhe po e kuptoj se kanë ardhur persona fantastikë për këtë konferencë dhe janë përgatitur sesione fantastike, dhe sinqerisht do të doja të kisha lënë hapësirë në programin tim sot dhe nesër për të marrë pjesë në të gjitha këto sesione.

Më vonë do të dëgjojmë Alice Ekman, Evanna Hu, Sheena Greitens teksa do të flasin për rreziqet e sulmeve kibernetike. Dhe ky diskutim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të rëndësishme. Është vërtetë e shkëlqyer të kemi sot një sallë mbushur me udhëheqës vendor, kryetarë bashkie, zëvendës kryetarë, të cilët kryejnë punën, dhe udhëheqës e mendimtarë të industrisë.

Udhëheqësit vendorë kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm në demokraci. Ju keni lidhjen më të ngushtë me bashkëqytetarët tuaj dhe ofroni disa nga mënyrat më domethënëse për të përmirësuar jetën e tyre. Gjithashtu, ju e dini vetë, më mirë se ne, se për çfarë kanë nevojë dhe çfarë duan qytetarët e të gjitha moshave dhe të gjitha prejardhjeve për të bërë një jetë më të sigurt, më të lumtur dhe më produktive. Ju gjithashtu i njihni kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen zgjedhësit tuaj çdo ditë – qasja në shërbime, mbrojtja nga krimi dhe – siç e kemi parë në Shqipëri muajt e fundit – mbrojtja nga aktorë keqdashës të cilët kërkojnë të hakerojnë dhe prishin jetën e qytetarëve, duke minuar kështu besimin në demokraci.

Kjo konferencë e “Qyteteve Inteligjente” vjen në një çast kur ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Si mund t’a lidhim teknologjinë e duhur me drejtuesit e duhur në mënyrën e duhur për të mbrojtur dhe përmirësuar jetët e bashkëqytetarëve tanë?

Shtetet e Bashkuara janë këtu për të ndihmuar – shpesh themi se qeveria është këtu për t’ju ndihmuar. Ne vërtet jemi këtu për t’ju ndihmuar. Dhe ndihma për organizimin e kësaj konference është një nga mënyrat se si ne duam ta bëjmë këtë gjë. Ne duam të ndihmojmë duke mbledhur së bashku disa nga mendjet më të ndritura. Dhe ashtu siç thashë edhe mbrëmë, ne duam të mbledhim së bashku ata që ëndërrojnë dhe ata që bëjnë punë, në mënyrë që të sjellim rezultate të vërteta.

Jam krenare që, këtu në Shqipëri, kemi ndihmuar me masat e sigurisë kibernetike para, gjatë dhe qysh prej sulmeve kibernetike të pamatura dhe të papërgjegjshme të Iranit kundër qeverisë dhe, në fakt, kundër popullit shqiptar. Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara punojnë gjithmonë me aleatët dhe partnerët për mënyrat se si të mbrojmë qeveritë dhe njerëzit tanë nga përdorimi keqdashës i teknologjive të reja.

Por, për shkak të varësisë së qytetarëve tanë nga teknologjia dhe rreziqet e vazhdueshme për sigurinë dhe privatësinë e tyre nga aktorët keqdashës, ne të gjithë kemi nevojë për partneritete – ndërmjet qeverive dhe me sektorin privat – për t’i mbajtur njerëzit tanë, bizneset tona dhe demokracitë tona të sigurta.

Përgjatë kësaj konference, ju do të keni mundësinë të diskutoni se si ta bëni teknologjinë të funksionojë për demokracinë, për lirinë e internetit dhe për privatësinë e sigurinë e qytetarëve tanë. Të gjithë e dimë se rreziqet janë aty, ne i kemi parë – qeveritë autoritare që çojnë përpara axhendat e tyre duke eksportuar teknologji si kamerat në rrjet, sensorët dhe shërbime vendndodhjeje që mbledhin të dhënat e qeverisë dhe qytetarëve dhe i përdorin për qëllime të tjera. Shtetet e tjera sponsorizojnë sulme kibernetike për të vjedhur, prishur ose shkatërruar të dhënat e qytetarëve dhe sistemet dixhitale që na mbrojnë ne, të dashurit tanë dhe sigurinë tonë kombëtare.

Jemi të kënaqur që kemi disa nga njerëzit e duhur këtu në këtë sallë – drejtues vendorë, profesionistë të teknologjisë dhe ekspertë nga Shtetet e Bashkuara dhe mbarë Europa, të cilët kuptojnë rreziqet dhe, unë besoj, se mund të japin përgjigje. Ju do të gjeni mënyra për të shmangur shitësit e pabesueshëm dhe do të mësoni rreth alternativave të sigurta dhe të besueshme. Ju do të gjeni gjtihashtu mënyra të reja për të vazhduar ndërtimin e “qyteteve inteligjente” – një proces që prek të gjitha pjesët e jetës sonë, përfshirë infrastrukturën kritike të tillë si transporti, shpërndarja e energjisë elektrike, kujdesi shëndetësor, shërbimet utilitare dhe shumë të tjera.

E di që do të keni diskutime të frytshme dhe shpresoj se do të ktheheni në qytetet, institucionet dhe selitë tuaja me plane të reja pune që u shërbejnë nevojave të qytetarëve pa cënuar sigurinë e tyre – përkundrazi, që forcojnë sigurinë. Ky është i gjithë thelbi i kësaj konference.

Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe shpresoj që kjo konferencë të jetë e dobishme për ju.

Faleminderit!