Fjala e Ambasadores së SHBA Yuri Kim në Ditën e Vizitorëve të Shquar për Nder të Stërvitjes Defender 21, në Portin e Durrësit

President Meta, Kryeministër Rama, Gjeneralë, Ministra dhe të ftuar të shquar. Çfarë dite të mrekullueshme kemi përpara! Ju falenderoj shumë që më keni ftuar të flas në këtë ditë historike. Dua të përgëzoj Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes që kanë organizuar këtë ceremoni të jashtëzakonshme dhe më duhet të them se ushtarët dhe marinarët tanë duken si s’ka më mirë!

Dua t’i uroj mirëseardhjen veçanërisht Gjeneralëve Wolters, Harrigian, dhe Cavoli në Shqipëri. Është një rast vërtet i rrallë kur tre gjeneralë amerikanë me katër yje janë në të njëjtën kohë në të njëjtin vend. Faleminderit që jeni këtu. Jemi të nderuar të bashkohemi me ju në këtë nisje të Stërvitjes Defender Europe 21. Prania juaj konfirmon se roli drejtues i Shqipërisë në këtë stërvitje është domethënës dhe se roli i Shqipërisë në Aleancën e NATO-s po rritet.

Po të shohësh përreth në rajon dhe të llogaritësh numrin e aktiviteteve stërvitore gjatë Defender 21, do të vësh re që Shqipëria është pritëse e më shumë aktiviteteve se çdo vend tjetër në rajon. Mund të mendosh se është rastësore, por nuk është aspak ashtu.

Së pari, roli i Shqipërisë në NATO është më i rëndësishëm se kurrë. Shqiptarët kanë luftuar pranë nesh, krah per krah, në konflikte të shumta përreth globit. Kurrë nuk do ta harrojmë sakrificën tuaj dhe gjithmonë do të jemi mirënjohës që kur Amerika ka nevojë për ju – kur aleatët tuaj kanë nevojë për ju, NATO është aty dhe Shqipëria është gjithmonë pranë nesh. E njohim trimërinë tuaj dhe e kemi për nder t’ju quajmë Aleatin tonë.

Së dyti, Shqipëria është një vend i veçantë dhe një vendndodhje strategjike. Si anëtare e Aleancës, Shqipëria ofron një bazë të rëndësishme që i jep mundësinë NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur emergjencave dhe krizave rajonale shpejt dhe efektshëm. Stërvitja Defender 21 përgatit për këtë koncept, demonstron aftësinë për të hyrë në Europën juglindore përmes Shqipërisë, si dhe vërteton aftësinë e Shqipërisë për të pritur forca shumëkombëshe.

Së fundi, përgëzojmë vullnetin e Shqipërisë për të marrë përgjegjësi. Keni qenë të zëshëm në mbështetjen tuaj për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Nuk keni hezituar asnjëherë për të ofruar trupat tuaja apo për të mirëpritur Aleatët tanë në vendin tuaj. Na keni theksuar në mënyrë të përsëritur potencialin strategjik dhe taktik të Shqipërisë. Ju dëgjuam dhe jemi këtu dhe jemi mirënjohës për mikpritjen, partneritetin dhe kurajon tuaj.

Kjo stërvitje në Shqipëri është historike në vetvete, por ia vlen edhe të përmendet që disa nga aspektet më komplekse dhe të rëndësishme të Stërvitjes Defender 21 ndodhin pikërisht këtu në Portin e Durrësit. Ky operacion logjistik në port që po dëshmojmë të gjithë sot demonstron aftësinë e ushtrisë së SHBA për të dërguar forca ushtarake strategjikisht në vendin ku duhet – dhe për ta bërë këtë shpejt. Përgatitja jonë për këtë koncept na kujton të gjithëve që përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s mbetet i hekurt.

Disa muaj më parë, isha për vizitë këtu në port dhe nuk kishte asnjë shenjë të dukshme se do të ndodhte ndonjë stërvitje e këtyre përmasave. Sot, e kemi filluar tashmë. Aftësia e ushtrisë për ta shndërruar këtë masë betoni në një qendër logjistike strategjike është e pabesueshme. Edhe planifikimi i një operacioni me këto përmasa dhe nivel nuk është gjë e lehtë dhe ajo çka shohim përreth është dëshmi e punës dhe vendosmërisë së ushtarakëve tanë, të gjitha vendeve që marrin pjesë, si dhe pritëses sonë, Shqipërisë.

Është veçanërisht me vend që Defender Europe 21 po zhvillohet në vitin kur festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta festuar përkushtimin tonë ndaj kësaj marrëdhënieje dhe ndaj popullit shqiptar. Besoj që kjo stërvitje historike është fillimi i gjërave më të mëdha që do të vijnë, do të stërvitemi bashkë më shpesh, do të funksionojmë sëbashku më gjerësisht. Do të mbetemi me ju krah për krah sot, nesër, gjithmonë.