Flag

An official website of the United States government

Fjala e Ambasadores së SHBA Yuri Kim në Ceremoninë e Zbulimit të Projektit
për Restaurimin e Kalasë së Durrësit
5 MINUTA LEXUAR
30 Qershor, 2022

Remarks by U.S. Ambassador Yuri Kim at the Durres Fortress Restoration Project Unveiling

 

Ministre Margariti, Ambasadore Hastad, Elena dhe Ekipi i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, inxhinierë ndërtimi dhe punëtorë, anëtarë të komunitetit, të ftuar të nderuar, mirëmbrëma.

Rrugës për në Durrës më herët këtë pasdite po mendoja për vizitën time të parë në këtë qytet antik, menjëherë pas mbërritjes sime në Shqipëri si ambasadore e SHBA-së.

Doja të takohesha me banorët e Durrësit dhe të fshatrave përreth për të dëgjuar se si po përballonin situatën pas tërmetit të nëntorit 2019.

Edhe pse të rrethuar nga dëmet dhe rrënojat, në mes të dhimbjeve dhe vështirësive që kishte  shkaktuar tërmeti, diçka më ngrohte zemrën.

Ishin njerëzit që takova.

Qëndresa dhe vendosmëria e tyre për të ecur përpara, mbështetja për njëri-tjetrin dhe sytë e ndritshëm dhe buzëqeshjet e gëzuara të fëmijëve të tyre.

E kuptova menjëherë që durrsakët janë të fortë dhe rezistentë, ashtu si kjo kala që mbrojti këtë qytet të lashtë gjatë gjithë historisë së tij.

Ambasada e SHBA-së ishte krenare që mundi të mbështeste restaurimin e Kullës C përmes Fondit të Ambasadorit të SHBA për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe ishim shumë të lumtur të bashkëpunonim me miqtë tanë në Ambasadën suedeze dhe Ministrinë shqiptare të Kulturës për këtë sipërmarrje madhore.

Dëshiroj të përgëzoj ekipin e Trashëgimisë Kulturore pa Kufij të udhëhequr nga Elena Mamani, punëtorët dhe inxhinierët që punuan shumë, ndonjëherë në zheg të diellit apo në shiun e ftohtë, për t’u siguruar që Kulla C të jetë edhe një herë e plotë dhe e bukur.

Ju lumtë! Bravo, secilit prej jush!

Monumentet kulturore të Shqipërisë, si kjo kullë dhe Kalaja e Prezës, të cilën e përuruam muajin e kaluar, kanë një histori për të na treguar neve dhe brezave të ardhshëm.

Shpresoj që të rinjtë e talentuar si Keitlin dhe miqtë e saj t’i shohin këto fortifikime si një simbol të trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe, tani, si një simbol të miqësisë së thellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Këtë vit ne po festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona.

Kemi shumë për të bashkëndarë dhe festuar.

Shqiptarët i kanë treguar botës se si njerëzit mund t’i mbijetojnë vështirësive dhe shtypjes, të rindërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre dhe të ecin përpara.

Amerikanët dhe shqiptarët kanë dëshmuar gjithashtu, që sado që një regjim shtypës përpiqet të mbajë të ndarë njerëzit tanë, ne do të gjejmë rrugën e kthimit te njëri-tjetri dhe do të ndërtojmë një lidhje më të fortë se kurrë.

Krah për Krah!

Edhe një qind!

Faleminderit!