Fjala e Ambasadores së SHBA Kim në Ceremoninë e 100-vjetorit të Ditës kur SHBA dhe Shqipëria Vendosën Marrëdhëniet Diplomatike

President Begaj, Kryeministër Rama, Ministre Xhaçka, ish Presidentë, ish Ministra të Jashtëm, të nderuar miq:

Si sot një shekull më parë – disa vite pasi Presidenti Woodroë Wilson deklaroi në Konferencën e Parisit se Shqipëria duhet të jetë një komb i pavarur dhe sovran – komisioneri amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, pati nderin t’i përcjellë kryeministrit Xhafer Ypi njohjen zyrtare të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Me njohjen e njëra-tjetrës si shtete në 28 korrik 1922, Amerika dhe Shqipëria ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë ndër breza.

Gjatë ditëve më të errëta të komunizmit, ai pishtar i shenjtë u ruajt nga shqiptarët dhe amerikanët, i fshehur por pa u lejuar kurrë që të shuhet.

Ne që jemi mbledhur sot këtu kemi nderin e madh ta trashëgojmë atë pishtar dhe ta mbajmë atë më lart, duke bërë që ai të ngrohë miqësinë mes popullit amerikan e shqiptar dhe të ndriçojë rrugën përpara shtegut tonë të përbashkët si aleatët më të ngushtë.

Ndërsa shënojmë një shekull marrëdhëniesh diplomatike, e shfrytëzojmë këtë rast për të nderuar të gjithë amerikanët dhe shqiptarët që erdhën para nesh dhe kontribuan për partneritetin SHBA-Shqipëri, sidomos ata shqiptarë të cilët paguan për lirinë dhe miqësinë me jetët e tyre.

Shumë ka ndryshuar në 100 vjet, por ja çfarë mbetet e pandryshuar dhe e vërtetë: Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë nga besimi në një Shqipëri të pavarur dhe sovrane.  Ne nuk jemi lëkundur kurrë nga besimi tek ju. Ne nuk jemi lëkundur kurrë nga besimi në miqësinë tonë. Ne ishim krenarë që ju mbështetëm kur këputët vargonjtë e diktaturës komuniste në vitin1991; krenarë që mbështetëm aplikimin tuaj për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2009; krenarë që ndoqëm udhëheqjen tuaj si Kryesues në detyrë të OSBE-së në vitin 2020; krenarë t’ju mirëprisnim si partner anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në janar të këtij viti; dhe krenarë të festojmë me ju këtë muaj ndërsa filluat zyrtarisht negociatat për të zënë vendin tuaj të merituar si një komb i begatë dhe demokratik brenda familjes europiane.

Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë – dhe ne nuk do të lëkundemi kurrë – nga mbështetja e aspiratës së popullit shqiptar për sovranitet, demokraci, begati dhe drejtësi.

Ndërsa festojmë 100 vjet së bashku, sot kam nderin të ndaj me ju mesazhet e dy presidentëve amerikanë: George W. Bush, Presidenti i parë amerikan në detyrë që vizitoi Shqipërinë dhe Presidenti Biden, i cili ka një vend të veçantë në zemrën e tij për popullin shqiptar.

Mesazhi i Presidentit George W. Bush.

Mesazhi i Presidentit Joe Biden.