Fjala e Ambasadores Kim Gjatë Ceremonisë së Dhurimit të Pajisjeve nga EXBS për Policinë e Shtetit Shqiptar 

Drejtor i Përgjithshëm Veliu, Drejtor Merkaj, faleminderit për këtë mundësi që të ndaj disa mendime në këtë rast të rëndësishëm.    

E kam thënë më parë dhe do ta them përsëri: demokracia, mbrojtja dhe biznesi janë përparësitë kryesore të Shteteve të Bashkuara këtu. Për mbrojtjen dhe çështjet e sigurisë, përkushtimi i palëkundur i Qeverisë së Sh.B.A. ndaj forcimit të zbatimit të ligjit në Shqipëri është i qëndrueshëm. Dhurimi i këtyre pajisjeve moderne, me vlerë afro 170,000 dollarë, synon përpjekjet e Qeverisë së Shqipërisë për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe krimin ndërkufitar. Një Shqipëri më e sigurt është një Evropë më e sigurt dhe një Aleate më e sigurtë e NATO-s.   

Kapjet e fundit në kufi janë një tregues i mirë që pajisjet dhe trajnimi që kemi ofruar janë duke pasur ndikim pozitiv. Ne vazhdojmë ta bëjmë të qartë vlerësimin që kemi për zyrtarët e ligjzbatimit dhe dua të shtoj përgëzimet e mia për zyrtarët e kufirit për këtë përparim.      

Por duhet ta pranojmë edhe që Policia Kufitare nuk do të garantojë e vetme sukses kundër elementeve kriminalë. Trafikimi i armëve të shkatërrimit në masë, tregtitë e paligjshme të narkotikëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtar kanë një nyje të përbashkët – ato drejtohen nga aktorë keqdashës, të cilët dinë të përshtaten dhe janë të pamëshirshëm. Kjo është arsyeja pse vazhdojmë të nxisim të gjitha agjencitë ligjzbatuese që të punojnë krah për krah në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe formave të tjera të krimit në Shqipëri. Secili ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për të çuar përpara sundimin e ligjit në çdo shoqëri.     

Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja dhe të kërkojmë mënyra të reja për të punuar së bashku për të luftuar këto probleme ndërkombëtare.     

 Faleminderit!