Fjala e Ambasadores Kim në Konferencën e OSBE-së “Përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri” 

Mirëmëngjes! Ambasador del Monaco, Ambasadore Ekstedt, Ambasador Soreca, Zëvendës ministre Kuko, të nderuar të ftuar. Është kënaqësi të jem këtu.

Siç jeni në dijeni, Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA. Ata kanë udhëzuar të gjitha agjencitë qeveritare të SHBA për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kundër dëmit që krimet e rënda dhe abuzimi me të drejtat njeriut, të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore, i shkaktojnë sigurisë sonë kombëtare.

Në këtë drejtim, ne duam të nënvizojmë rëndësinë e luftës kundër abuzimeve ndaj të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE dhe anëtarësim nuk kërkojnë asgjë më pak.

Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor e ngre mbrojtjen e të drejtave të njeriut – dhe për rrjedhojë luftën kundër trafikimit njerëzor – në një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ne synojmë t’u kërkojmë llogari atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Kjo do të thotë që trafikantët përfaqësojnë, për të cituar gjuhën e urdhërit: “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Nëse trafikoni qenie njerëzore, ne mund t’ju ndalojmë të hyni në Shtetet e Bashkuara duke pezulluar dokumentet tuaja të udhëtimit në Sh.B.A.

Nëse keni një vizë amerikane, ajo nuk do t’ju hyjë më në punë

Nëse keni një peticion për një vizë emigrimi, nuk pi ujë.

Nëse trafikoni qenie njerëzore, qeveria e SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj nëse kalon përmes ose ka një lidhje me Shtetet e Bashkuara.

Vini re se urdhëri ekzekutiv i Presidentit Biden kërkon veprim kolektiv, gjë që është tema e forumit të sotëm.

Ne do ta zbatojmë urdhërin duke bashkërenduar veprimet tona – së brendshmi dhe së jashtmi- për të arritur qëllimin tonë të përbashkët.

Shqipëria është në një pikë kthese – ajo është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, përfundoi një kthesë të suksesshme si Kryetare e Zyrës së OSBE-së në vitin 2020, sapo fitoi një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB për vitin 2022-2023 dhe është në prag të hapjes formale të negociatave për anëtarësimin në BE.

Ky është momenti që Shqipëria – qeveria, shoqëria civile, media, të tjerët – të tregojnë udhëheqje në përpjekjen globale për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore.

Me shoqërinë civile, përfshirë OJQ-të që drejtojnë tre prej strehëzave të Shqipërisë për viktimat e trafikimit, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e drejtësisë mund të ringjallin përpjekjet e ndërlikuara nga COVID-19 për të identifikuar më shumë viktima, për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët dhe për të përgatitur të trafikuarit që të rihyjnë në shoqëri.

Falë reformës në drejtësi, ju e dini që keni institucionet dhe profesionistët për të vendosur trafikantët pas hekurave dhe për t’u kujdesur për viktimat.

Ne e nxisim Qeverinë e Shqipërisë të përtërijë përpjekjet e saj për të identifikuar viktimat, për t’i bërë ato të plota dhe për të dërguar trafikantët në burg.

Le të punojmë së bashku në partneritet – siç thotë koncepti për këtë aktivitet – për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Faleminderit!