Dita e Europës – Deklaratë për Shtyp nga John Kerry, Sekretar i Shtetit

Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të doja të përgëzoja popujt e Bashkimit Europian teksa festoni Ditën e Europës në këtë 9 maj.

Gjashtëdhjetë e tre vjet kanë kaluar tashmë që kur Robert Schuman deklaroi që një Europë e Bashkuar është e domosdoshme për ruajtjen e paqes botërore. Ky vizion – mbrojtja e paqes brenda Europës ndërkohë që promovohen vlerat e demokracisë dhe lirisë anekënd në botë – u vlerësua vitin e kaluar kur Komiteti i Çmimit Nobel i akordoi Çmimin e vitit 2012 për Paqen Bashkimit Europian.

Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë të lidhura mes tyre nga vlera të përbashkëta dhe sëbashku ofrojnë udhëheqësi të qëndrueshme globale. Gjatë vitit të kaluar kemi punuar drejt një bote më të sigurt, më demokratike dhe më të begatë. I kemi ofruar ndihmë humanitare sirianëve të zhvendosur, kemi mbështetur shoqërinë civile në Egjypt, si dhe kemi mbështetur një mundësi për demokraci në Burma. Do të vazhdojmë të jemi partnerë në Ballkan dhe në veçanti përgëzoj udhëheqësit e BE-së për kontributin e tyre për marrëveshjen Serbi-Kosovë për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Në këtë Ditë të Europës, shohim përpara drejt perspektivash të reja për marrëdhënien SHBA-BE, përfshi hapjen e negociatave për një Partneritet të ri ambicioz Transatlantik për Tregtinë dhe Investimet. Është një mundësi e shkëlqyer për të thelluar dhe zgjeruar lidhjet tona të forta SHBA-BE dhe për të shtuar të tjera vende pune për amerikanë e europianë përveç atyre 13 milionë vende pune që ekzistojnë tashmë të mbështetura nga tregtia dhe investimet ekzistuese.

Teksa festoni sot Ditën e Europës në këtë 9 maj, të dini që populli i Shteteve të Bashkuara do të qëndrojë me ju si mik e partner. Së bashku, do të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e më të ndritshme për popujt tanë dhe bashkësinë globale.