“Demokracia në Shqipëri: Ecuria e Përparimit” Philip T. Reeker

Dëshmia e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë
Philip T. Reeker para  
 

Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë:

Komisioni i Helsinkit SHBA  

“Demokracia në Shqipëri: Ecuria e Përparimit” 

E hënë, 6 maj, 2013

Faleminderit shumë për ftesën për të folur përpara Komisionit të Helsinkit. Në Departamentin e Shtetit ne kemi raport jashtëzakonisht të mirë me Komisionin. E vlerësojmë punën që bëni dhe duhet të them personalisht, nga përvoja dhe puna në Ballkan – veçanërisht gjatë periudhës së fundit prej një viti e gjysmë në këtë detyrë, se Komisioni ka luajtur rol të rëndësishëm në nxitjen e stabilitetit dhe demokracisë në gjithë rajonin për tashmë më shumë se dy dhjetëvjeçarë, dhe e vlerësoj shumë interesin tuaj të vazhdueshëm në këtë rajon. Duke pasur parasysh gjithë gjërat që po ndodhin në botë, është e rëndësishme të kujtojmë se kjo është zonë ku Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar me burime të konsiderueshme dhe vazhdojnë të jenë tejet të angazhuara. Prandaj e mirëpres mundësinë për të folur rreth ecurisë së përparimit demokratik në Shqipëri.

Dua ta nis dëshminë sot me një panoramë të politikave tona drejt Shqipërisë, një pasqyrë të ecurisë së përparimit demokratik në Shqipëri dhe në fund, të identifikoj disa nga sfidat që besoj se do të mbeten të tilla. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të fortë, aktive dhe të qëndrueshme – miqësi, siç e keni përshkruar ju. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur për një kohë të gjatë pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë. Rikujtoj se Shqipëria fitoi për herë të parë pavarësinë nga çka që njihej në atë kohë si Perandoria Otomane, në 8 nëntor 1912.

Pas Luftës së Parë Botërore presidenti ynë, presidenti Woodrow Wilson mbrojti Shqipërinë si shtet. Dhe gjatë ditëve të errëta pas luftës së dytë botërore, ato të periudhës së komunizmit, Zëri i Amerikës, shërbimi shqiptar i të cilit feston 70 vjetorin në një aktivitet nesër, solli lajme dhe frymëzim për një komb shumë, shumë të izoluar.

Pas rënies së regjimit të ashpër komunist në vitin 1991, Shtetet e Bashkuara nën presidentin George H.W. Bush me shpejtësi rivendosën marrëdhëniet me Shqipërinë. E rimorëm ndërtesën e ambasadës që kishim patur atje përpara luftës. Më vonë, presidenti Clinton themeloi një fond sipërmarrjeje për të sjellë investime amerikane në Shqipëri, mbështeti zgjedhjet demokratike të Shqipërisë dhe punoi me Shqipërinë dhe aleatët tanë në NATO për të mbrojtur Kosovën dhe për të rivendosur stabilitetin në rajon. E mbajmë mend mirë se si Shqipëria priti dhjetëra mijëra – qindra mijëra refugjatë nga Kosova gjatë atyre ditëve të errëta në vitet 1998-1999.

Presidenti George W. Bush ishte presidenti i parë në detyrë që vizitoi Shqipërinë dhe Presidenti Obama mirëpriti Shqipërinë, bashkë me Kroacinë si aleatet tona më të reja në NATO në vitin 2009 dhe Sekretarja Clinton ndihmoi Shqipërinë të festonte 100 vjetorin e pavarësisë vetëm vjeshtën e kaluar, në fund të muajit tetor 2012 kur vizitoi Shqipërinë si pjesë e turit të saj ballkanik.

Në arenën ndërkombëtare mendoj se është me rëndësi të theksohet se nga një periudhë izolimi të skajshëm, Shqipëria në fakt ka qenë aktor i përgjegjshëm dhe i palëkundur, duke dërguar trupa dhe burime në Bosnje-Hercegovinë, në Kosovë dhe në Irak. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria ka mbështetur fuqishëm operacionet e drejtuara nga NATO, më dukshëm në Afganistan, ku mbi 200 shqiptarë shërbejnë me krenari tani përkrah trupave amerikane dhe trupave të tjera aleate.

Prandaj Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë thellësisht kontributet e shumta të Shqipërisë drejt qëllimeve tona të përbashkëta. Shtetet e Bashkuara po veprojnë në partneritet me Shqipërinë dhe miq të tjerë europianë ndërsa Shqipëria punon për arritjen e synimeve të saj drejt Bashkimit Europian, gjë që është sigurisht një prej qëllimeve tona thelbësore në Ballkanin Perëndimor dhe drejt Shqipërisë në veçanti. Ashtu si natyra dypartiake e këtij komisioni, kjo politikë ka qenë politikë e qartë e të dyja administratave, Demokrate dhe Republikane, për më shumë se 20 vjet. Tani, që prej vitit 1991, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në zhvillimet e saj demokratike dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë partnerë dhe kanë mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të mbështetur institucionet e saj demokratike, përmirësuar shtetin ligjor dhe rritur standardet e jetesës për të gjithë popullin shqiptar dhe për të ruajtur marrëdhënie miqësore dhe reciprokisht frytdhënëse me fqinjët e saj.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur gjithashtu përpjekjet për të zhvilluar mundësitë për tregti dhe investime në Shqipëri. Siç e përmendët, anëtarë të Kongresit, ne besojmë se ka mundësi të shkëlqyera atje. Dhe kemi bashkëpunuar për zbatimin rajonal të ligjit, çështjet rajonale ekonomike dhe ato mjedisore.

Anëtarësia e Shqipërisë në NATO është shumë e rëndësishme për konsolidimin e paqes dhe sigurisë së vetë Shqipërisë dhe në rajonin e gjerë. Por në shekullin e 21-të dhe më tej, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se arti ekonomik i qeverisjes ka rëndësi akoma më shumë. Perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian i jep Shqipërisë nxitje të forta për reforma të vazhdueshme demokratike, ekonomike dhe sociale dhe kjo perspektivë është më e mira për stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë në ekonomi dhe demokraci. Shqipëria, ashtu si vendet e tjera që dëshirojnë të bëhen pjesë e BE-së, e di se integrimi në BE është mundësia më e mirë e saj për të siguruar mirëqenie për popullin. Kroacia, si shembull, mbështetëse shumë e fortë dhe mike e Shqipërisë gjithashtu, do të jetë vendi i radhës në rajon që bëhet pjesë e Bashkimit Europian në 1 korrik të këtij viti.

Tani, ndërsa Shqipëria shikon drejt së ardhmes së saj europiane, ne dhe partnerët tanë europianë jemi gjithë shpresë se Shqipëria do të ndërmarrë masat e domosdoshme për të forcuar kapacitetin e demokracisë dhe kjo do t’i japë mundësinë më të mirë për të fituar statusin kandidat sa më parë që të jetë e mundur. Ish Sekretarja Clinton e përsëriti këtë në fjalën e saj historike në parlamentin shqiptar vjeshtën e kaluar në Tiranë. Sekretarja Clinton tha, dhe unë po citoj: “Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë një vend në familjen evropiane të kombeve. Kjo nuk është diçka e mirë vetëm për ju, por do e bëjë këtë kontinent më paqësor dhe do t’i sjellë më shumë siguri.”

Sot drejtuesit politikë të Shqipërisë nga të gjitha partitë politike – të cilët janë të shumtë  – dhe me të vërtetë gjithë populli shqiptar duhet të ndërmarrin vendime të vështira për të ardhmen e tyre. Pavarësisht njëfarë përparimi në programin e reformës për në BE, Komisioni Europian nuk rekomandoi statusin kandidat në vitin 2012. Përparimi i Komisionit Europian vërejti së ndërkohë që Shqipëria kishte bërë hapa të mëdha drejt përmbushjes së të ashtuquajturave kritere politike për anëtarësi, ishte ende e domosdoshme që Shqipëria të shtonte përpjekjet për të reformuar gjyqësorin, për të forcuar pavarësinë e institucioneve gjyqësore si edhe efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e tyre. Komisioni vërejti gjithashtu se Shqipëria duhej të dëshmonte hapat e bëra në reformën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në mbrojtjen e të drejtave të bashkësive të pakicave.

Më tej, raporti i Komisionit Europian theksoi nevojën që parlamentarët shqiptarë të miratonin ligjin për reformat e mbetura në fushat e administratës publike, reformën e gjyqësorit dhe rregullat e procedurat e parlamentit. Së fundi, siç e vutë re, anëtarë të Kongresit, zgjedhjet mbeten pikë shqetësimi në përparimin demokratik të Shqipërisë. Raporti i Komisionit Europian pohoi se realizimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013, të cilat do të zhvillohen në 23 qershor, do të jetë provë vendimtare për institucionet demokratike të vendit dhe për të treguar nëse Shqipëria është gati për statusin kandidat në BE. Ne, Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Shtetit mendon se kemi po të njëjtat shqetësime si komisioni.

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODHIR-it dhe Asamblesë Parlamentare në vitin 2009 vuri re se ndërsa zgjedhjet atëherë përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, Shqipëria nuk arriti standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Kjo ka qenë sfidë për Shqipërinë. Misioni në atë kohë citoi shkelje procedurash, probleme administrative me numërimin e votave, mbulim të njëanshëm të medias dhe mjedis politik tejet të infektuar. Kryerja e zgjedhjeve kombëtare të 11 majit për kryetarë bashkish dhe këshilla bashkiakë doli paksa më mirë sipas raportit përfundimtar të misionit të vëzhgimit të OSBE-së, por klima tejet e polarizuar politike u theksua si problematike, siç ishte vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ndërhyrë në garën për Bashkinë e Tiranës.

Ky vendim shkatërroi pavarësinë e institucionit, KQZ-së, dhe zbehu besimin në rezultatin e zgjedhjeve. Këtë e kemi lënë pas krahëve, por duhet ta mbajmë në mendje ndërsa shikojmë përpara drejt zgjedhjeve parlamentare që po afrojnë. Çfarë mësimesh kemi nxjerrë? Shtetet e Bashkuara e kanë shprehur qartë se që të arrihen standardet ndërkombëtare, duhet respektuar pavarësia e institucioneve shqiptare. Debati politik duhet të mbetet në nivele konstruktive dhe me mirësjellje, dhe populli shqiptar duhet të ketë besim si në procesin ashtu edhe në rezultatet e zgjedhjeve. Personeli amerikan do të bashkohet me kolegët tanë nga ODHIR-i i OSBE-së dhe do të punojmë me bashkëpunëtorët tanë në Asamblenë e tyre Parlamentare për të siguruar se komuniteti ndërkombëtar do t’i shikojë zhvillimet e zgjedhjeve me shumë kujdes.

E kuptojmë se Asambleja Parlamentare e OSBE-së do të çojë misionin e saj, dhe këtë e mirëpresim.

Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë vite për të përfshirë shoqërinë civile në Shqipëri dhe këto përpjekje vazhdojnë nëpërmjet programeve të ambasadës amerikane me në krye ambasadorin Aleks Arvizu. Nëpërmjet programeve të shtimit të votuesve dhe sensibilizimit, po nxisim diskutime të hapura mbi çështje të rëndësishme që lidhen me shtetasit shqiptarë përtej politikave mirëfilli personale.

Po mbështesim pjesëmarrjen aktive në procesin zgjedhor dhe raportimin e vëzhgimeve mbi vetë procesin zgjedhor. Megjithatë, pjesërisht për shkak të efektit të zvarritjes së regjimit të ashpër komunist, pjesëmarrja qytetare mbetet aspekti më i dobët në procesin zgjedhor. Partitë duhet që të përfshijnë më seriozisht shoqërinë civile dhe të pasqyrojnë rekomandimet e tyre në platformat e tyre partiake. Në Shtetet e Bashkuara politikanët i vënë veshin mendimin publik sepse qytetarët e shfaqin mendimin e tyre nëpërmjet votave. Dhe më lejoni të shfrytëzoj këtë çast për të përshëndetur kongresmenin Engel, gjithashtu një mik i mirë i Shqipërisë dhe njohës i mirë i këtyre çështjeve, me të cilin kemi folur shumë herë në lidhje me to.

Shtetet e Bashkuara janë në mënyrë të veçantë të shqetësuara për pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja ka përgjegjësinë kryesore të administrojë zgjedhjet në mënyrë të lirë e të paanshme në përputhje me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë dhe duke respektuar shtetin ligjor. Në mënyrë që ta bëjë këtë, KQZ-ja duhet të jetë e lirë nga ndërhyrja e çdo individi, partie politike, institucioni, përfshirë edhe Kuvendin. Në lidhje me përbërjen e KQZ-së, anëtarët e KQZ-së, të cilët u zgjodhën dhe emëruan mbi baza konsensusi ndërpartiak dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor, duhet të jenë të zhveshur nga politika.

Menjëherë pas emërimit, anëtarët e KQZ-së janë betuar dhe janë të detyruar të përmbushin përgjegjësitë e tyre në mënyrë të paanshme që të realizojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë theksuar nevojën që të gjitha partitë politike të forcojnë besimin e humbur në institucionin kryesor përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo parashikon që ata t’i përmbahen një rendi kohor të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe zhvillimin e zgjedhjeve në 23 qershor – besoj se ky rend është rreth 45 ditë që nga dita e sotme.

Në mënyrë që ta realizojnë një gjë të tillë drejtuesit e partive politike duhet të punojnë së bashku, duhet të bëjnë kompromis – fjalë që jo gjithmonë gjendet në fjalorë në Ballkan – dhe të gjejnë një zgjidhje që e lejon KQZ-në të zbatojë mandatin e saj për administrimin e zgjedhjeve. Kemi besim se drejtuesit do ta bëjnë këtë. Udhëheqësit e të gjitha partive politike kryesore kanë shprehur dëshirën që zgjedhjet të zhvillohen në 23 qershor. Megjithatë, KQZ-ja nuk ka anëtarë të mjaftueshëm për të administruar zgjedhjet në mënyrën e duhur. Kjo është çështje besueshmërie dhe ne do të dëshironim ta shikonim KQZ-në sa më të plotë që të jetë e mundur, dhe i nxisim udhëheqësit e Shqipërisë të mos humbasin kohë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët tanë europianë, kanë theksuar se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me përcaktimin se kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet. Ka shumë rëndësi gjithashtu edhe procesi demokratik.

Është e rëndësishme mënyra se si partitë politike bëjnë fushatën e tyre. Është e rëndësishme se si KQZ-ja interpreton Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, zhvillon zgjedhjet dhe shqyrton mosmarrëveshjet, si paraqiten votat, si zgjidhen konfliktet dhe si do të reagojnë publiku dhe partitë politike ndaj rezultatit përfundimtar. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve në 23 qershor do të jetë tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë sinjal tregues nëse Shqipëria është gati për statusin kandidat për në BE apo jo. Kjo do të ketë gjithashtu ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë.

Pavarësisht shqetësimeve tona, më lejoni t’ju them në përfundim se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të ardhmen e Shqipërisë. Vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj miqve tanë, popullit shqiptar – gjithë popullit shqiptar dhe u kemi dhënë dorën për mbështetje. Përtej zgjedhjeve, do të mbetemi të angazhuar për qëllimet afatgjata që kam cituar më parë: të ndihmojmë Shqipërinë ndërsa ajo ndërton dhe përmirëson institucionet demokratike, respekton shtetin e së drejtës, lufton krimin dhe korrupsionin dhe zhvillon një ekonomi tregu për të sjellë mirëqenie për popullin e Shqipërisë.

Më lejoni ta përfundoj këtu. Faleminderit edhe një herë që më dhatë këtë mundësi të flas përpara Komisionit të Helsinkit. Faleminderit shumë për punën që bëni dhe pres me padurim pyetjet tuaja. Faleminderit.

***

[Koment i Anëtarit të Kongresit Engel]

ADERHOLT:  Faleminderit, kongresmen Engel. Më lejoni të kaloj te disa prej pyetjeve. Sigurisht, një prej gjërave më të dukshme për të cilat duam të flasim sot është roli që ka luajtur  prania e OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur problemin lidhur me këto zgjedhje. Ambasador, do të doja të kisha mendimet tuaja se cili ka qenë ky rol. A është ky rol i dobishëm ndërsa jemi pranë zgjedhjeve të reja dhe gjithashtu për zgjedhjet në të shkuarën?

REEKER:  Faleminderit, kongresmen Aderholt. Mendoj se vërtet është e rëndësishme të theksohet OSBE-ja dhe roli që luan kjo organizatë në gjithë rajonin, por veçanërisht ndërsa shikojmë Shqipërinë sot. Si fillim do të theksoj se ambasadori ynë dhe ambasadorët e tjerë përpara tij kanë punuar shumë ngushtë me drejtuesin e misionit të OSBE-së në vend, në Shqipëri. Z.Wollfarth, drejtuesi i misionit të OSBE-së do të largohet së shpejti, dhe do të vijë në vend të tij një drejtues i ri. Dhe e di se Ambasadori Arvizu pret me padurim të vazhdojë të njëjtën marrëdhënie sepse misioni i OSBE-së është thelbësor në ndihmën për ta sjellë Shqipërinë më pranë zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta në përputhje me angazhimet e saj drejt OSBE-së. Këto angazhime janë bërë nëpërmjet anëtarësisë në OSBE dhe këto standarde janë ndërkombëtare. E vlerësojmë shumë drejtimin që po merr OSBE-ja dhe bashkërendimin e përpjekjeve në vend për të mbështetur zgjedhjet. Teksa kthejmë kokën mbas, siç e përmenda në dëshminë time pas zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë të vitit 2009 dhe zgjedhjeve lokale të vitit 2011, OSBE/ODIHR – që është Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – dha një sërë rekomandimesh për të përmirësuar institucionet zgjedhore të Shqipërisë. Shumë prej këtyre rekomandimeve janë pasqyruar në kodin e ri zgjedhor. Gjatë vitit të kaluar, OSBE-ja ka punuar për të përmirësuar kapacitetin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar zgjedhjet dhe trajnimi për menaxhimin i bërë prej tyre për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe anëtarët e këtij komisioni – përfshirë ndërgjegjësimin e votuesve, programet e ngritjes së kapaciteteve, punën me organizatat e shoqërisë civile, seancat e informimit publik mbi kodin zgjedhor shqiptar – të gjitha këto janë në funksion të atij qëllimi.

Dhe duhet të mbajmë mend kontekstin që kemi diskutuar këtu sot. Ky është vend që vetëm dy breza më parë po dilte nga izolimi i skajshëm drejt koncepteve të demokracisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve. Shteti ligjor, zgjedhjet e lira dhe të drejta janë gjërat me të cilat ata nuk kanë qenë të mësuar. OSBE-ja ka luajtur rol jetik në këto. Kështu ne, Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojmë, nëpërmjet ambasadës sonë dhe programeve tona të bazuara dhe të konceptuara në Uashington, të punojmë me misionin e OSBE-së, me misionin e Bashkimit Europian në Tiranë. Dhe do të vëreja se të tre këto misione, duke punuar së bashku, kanë bërë të njëjtën thirrje – të njëjtën thirrje që përmenda, të cilën ju keni përmendur që partitë politike të Shqipërisë të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të ndjekin udhëzimet e mjedisit aktual ligjor të Shqipërisë. Qytetarët e Shqipërisë e meritojnë këtë. Dhe thjesht do të theksoja se Shtetet e Bashkuara do të japin kontribut të plotë, siç parashikohet nga rregullat e zakonshme të OSBE/ODIHR-it për misionet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve. E mirëpresim pjesëmarrjen e Asamblesë Parlamentare, dhe kjo është pjesë e angazhimit kryesor të SHBA-së për një përpjekje të përgjithshme ndihme ndërkombëtare, që do të thotë se po bëjmë gjithçka mundemi për të ndihmuar Shqipërinë dhe institucionet e saj në këtë aspekt.

ADERHOLT:  Në komentet tuaja të fillimit përmendët këtë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është paksa e panjohur për ne këtu në Shtetet e Bashkuara sepse ne nuk kemi sistem të ndërtuar në mënyrë të ngjashme me të. Duke qenë se ky është disi koncept i panjohur për ne, mund të na shpjegoni pak se si është ndërtuar dhe funksionon ky komision?

REEKER:  Atëherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, i cili krijohet sipas Kodit Zgjedhor dhe ligjeve, duhet të ketë në përbërje të tij shtatë anëtarë. Dhe ky komision luan rol të rëndësishëm si institucion duke qenë jopolitik, i lirë nga ndërhyrja e çdo partie politike apo individi ose institucioni, përfshirë edhe gjykatën. Është institucion i pavarur i ngarkuar të kryejë detyrën e administrimit të zgjedhjeve. Dhe mendoj se duhet të kujtojmë se institucionet e Shqipërisë janë të reja, janë institucione që nuk janë vënë ende në provë të plotë, dhe si e treguam në komentet e mëparshme, nuk kanë qenë në gjendje gjithmonë të kryejnë zgjedhje që përmbushin pritshmërinë jo vetëm e qytetarëve, por edhe angazhimet që ka ndërmarrë Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

Ne, Shtetet e Bashkuara, dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe do të thosha edhe populli i Shqipërisë, mbështetemi te të gjitha partitë që të na japin asgjë më pak se sa zgjedhje të lira dhe të drejta, e që konsiderohen të tilla jo vetëm nga partitë por nga vetë populli. Dhe ajo që kam thënë shpesh kur kam vizituar Shqipërinë dhe kam folur në lidhje me rëndësinë e zgjedhjeve, është se ata duhet të zhvillojnë zgjedhje që përfaqësojnë një vend anëtar në NATO. Kemi standarde për vendet anëtare në NATO. Ato janë standarde që janë parë të përmbushura nga vendet kur këto vende u ftuan të bëheshin pjesë e aleancës, dhe besojmë se ekziston kapaciteti që institucione si KQZ-ja të përmbushin rolin e tyre dhe të ndihmojnë në zhvillimin e zgjedhjeve. KQZ-ja mbikëqyr një grup zonash zgjedhore, 89 zona zgjedhore. Secila prej këtyre qendrave ka vëzhgues që shikojnë zhvillimin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave në ato zona. Janë, siç ju thashë, 89 të tilla. Dhe duam të kemi besim në këtë proces. E përsëris, nuk janë rezultatet ato që kanë rëndësinë përfundimtare. Do të ketë fitues në këto zgjedhje, por fituesi i vërtetë do të jetë populli i Shqipërisë, nëse ata kanë besim në rezultatet e zgjedhjeve dhe nëse perceptimi nga komuniteti ndërkombëtar, si edhe nga qytetarët shqiptarë, është se këto zgjedhje janë kryer si duhet.

ADERHOLT:  Më lejoni të ndërhyj këtu. Diçka këtu, në komentet në fillim përmendët KQZ-në, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe sigurisht përmendët se ka shtatë anëtarë në të. Si zgjidhen këta anëtarë?

REEKER: Ata zgjidhen nga partitë e shumicës dhe të pakicës, por si aktorë jo politikë.  Mendoj së është me rëndësi të kujtohet se këta shtatë anëtarë duhet të zgjidhen dhe se më pas nuk duhet të jenë nën trysni apo detyrim nga asnjë partie politike apo individ – ose të ndonjë prej kandidatëve. Tani, siç mund ta dini, KQZ-ja ka vetëm katër anëtarë në detyrë. Kjo gjë na shqetëson. Në mënyrë që të jetë e besueshme dhe produktive, mendojmë se KQZ-ja duhet të plotësohet. Duhet të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e saj. Këto do të donin edhe qytetarët.

ADERHOLT:  Dhe na sqaroni pak ju lutem arsyen përse janë këto vende të paplotësuara tani?

REEKER:  Pati dorëheqje pasi u zëvendësua një prej anëtarëve. Dhe këto janë procese në të cilat politikanët, aktorët politikë, kanë detyrimin tani të zgjedhin anëtarë të rinj për të plotësuar vendet bosh, e ende nuk i kanë ndërmarrë këto veprime. I kemi kthyer sytë te politikanët e presim që ata të përmbushin detyrimet e tyre, të bëjnë atë për të cilën janë zgjedhur dhe të japin emra për të plotësuar vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

ADERHOLT:  Pra, bazuar në mënyrën si janë organizuar zgjedhjet në këtë vend, është e rëndësishme që ky bord me shtatë anëtarë i KQZ-së të jetë tërësisht funksional dhe në veprim. Dhe tani, ju po thoni se janë vetëm katër anëtarë në këtë komision. Dhe është në dorën e parlamentit të zëvendësojë ata katër anëtarë që mungojnë. A është e saktë?

REEKER:  Shumica ose koalicioni i partisë në pushtet dhe opozita duhet të propozojnë emra për këto vende. Teknikisht, sipas ligjit, KQZ-ja mund të veprojë me katër anëtarë, por janë vetëm katër nga shtatë. Dhe ka disa vendime që nuk mund t’i marrin me katër anëtarë. Pra, në mënyrë që të jetë efikas, që të ketë besueshmëri të plotë, duhet që t’i shikojmë të plotësuar edhe ato vendet bosh.

ADERHOLT:  Kur pritet që të mbushen këto vende?

REEKER: Do të thosha dje, por kjo është çështje e pjesës shqiptare të zyrtarëve. Është diçka që e kemi nxitur, edhe të tjerët në komunitetin ndërkombëtar e kanë nxitur këtë, dhe vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve, politikanëve dhe partive që të propozojnë emra. Duhet të ulen bashkë. Besojmë se e kanë kapacitetin për ta bërë këtë dhe detyrimin ta bëjnë këtë dhe të plotësojnë këto vendet bosh.

ADERHOLT:  Thatë se janë katër vende bosh. Apo jo?

REEKER:  Janë tre vende bosh.

ADERHOLT:  Tre vende bosh. Dhe këto tre vende bosh, janë të ndara sipas partive?

REEKER: Tre vendet e opozitës janë ato që duhen plotësuar. Katër prej vendeve që janë tashmë të plotësuara me anëtarë janë ato që janë zgjedhur nga koalicioni qeverisës. Tre vendet e opozitës duhen plotësuar dhe do t’u bënim thirrje ta bënin këtë.

ADERHOLT:  A kanë thënë pse nuk i kanë plotësuar këto vende?

REEKER: Mendoj se për shkak të politikës, dhe mendoj se ka ardhur koha ta kapërcejnë këtë dhe të përmbushin detyrimet, të ulen, të bëjnë kompromiset e nevojshme, të gjejnë emra të pranueshëm, të cilët mund të përmbushin rolet jopartiake në këtë institucion shumë të rëndësishëm kur kanë mbetur edhe vetëm 45 ditë përpara zgjedhjeve.

ADERHOLT:  Në rregull. Më lejoni t’ia jap fjalën kongresmenit Engel.

ENGEL:  Faleminderit. Faleminderit shumë. Ambasador, duke ditur rezultatet e zgjedhjeve në të kaluarën dhe duke mos dashur të mbaj anë në asnjë prej zgjedhjeve, me duket se në mënyrë që Shqipëria të ecë në drejtimin pozitiv për t’u bërë anëtare e BE-së, është e qartë që nuk e ndihmon të ketë një çrregullim të tillë dhe do të ishte në ndihmë të procesit nëse të dyja anët respektojnë rezultatet e zgjedhjeve. Prandaj, thjesht jam kureshtar të di çfarë shikoni ju, çfarë besoni? A besoni se nëse nuk do të ketë probleme të mëdha në zhvillimin e zgjedhjeve, drejtuesit politikë të Shqipërisë do të respektojnë rezultatet në fitore apo humbje? A besoni se ata do të nxjerrin mësim dhe do të shmangin provokimet e tilla që mund të çojnë në protesta masive dhe përballje të dhunshme siç kemi patur? Dhe çfarë mendoni se mund të bëjnë në mënyrë të arsyeshme në ditët pas zgjedhjeve, nëse kanë një parlament dhe qeveri të re për të bërë nisjen më të mirë të mundshme?

REEKER:  E mirëpres pyetjen. Faleminderit, kongresmen Engel, sepse mendoj se është e rëndësishme të ndalosh pak e të reflektosh. Siç e thashë, mund të shikojmë në të kaluarën. Shqipëria nuk ka ndonjë histori me pozitivitet të lartë për sa i përket shumë prej zgjedhjeve të saj. Ajo që mund të mësohet prej atyre zgjedhjeve, vëzhguesit dhe organizatat ndërkombëtare si OSBE-ja kanë dhënë rekomandime, OSBE-ja dhe Asambleja Parlamentare dhe të tjerë në komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do t’i jenë pranë për ndihmë. Ne – si miq dhe mbështetës të Shqipërisë – kemi investuar rreth një milion dollarë për të mbështetur procesin zgjedhor nëpërmjet përhapjes, programeve të ndërgjegjësimit, ndihmës teknike për KQZ-në dhe nëpërmjet përpjekjeve tona për monitorimin e zgjedhjeve. Mendoj se është detyra e drejtuesve që të tregojnë kurajë. Ju folët për kurajën e treguar kohët e fundit nga drejtues të tjerë në rajon, se si ata ndërmarrin hapat e nevojshme për të siguruar se këto zgjedhje do të kryhen sipas ligjit në mënyrën që, siç e thashë edhe më parë, i shkon për shtat një vendi që është anëtar i NATO-s. Jemi shumë krenarë që kemi Shqipërinë vend anëtar të NATO-s dhe që ata hodhën hapat e duhur e bënë përparimin e nevojshëm për ta arritur këtë. Por duhet t’i tregojnë popullit të tyre, si edhe aleatëve të tyre dhe botës, se ata në të vërtetë mund të veprojnë në përputhje me ato pritshmëri dhe përkushtime. Prandaj do të jetë detyrë e drejtuesve jo vetëm të zhvillojnë zgjedhjet në mënyrën e duhur, por edhe të respektojnë rezultatin. Më tej, të gjithë drejtuesit e partive duhet t’u bëjnë thirrje mbështetësve të tyre të respektojnë rezultatin. Siç e kemi thënë disa herë tashmë – nuk bëhet fjalë se kush do të fitojë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë preferenca në lidhje me këtë. Preferenca jonë në këtë proces është vetë vendi, institucionet dhe populli i tij, dhe duam të shohim këto të kenë sukses.

Mendoj se është e rëndësishme të thuhet në këtë kontekst që të mos bëhet asnjë gabim, Shtetet e Bashkuara, si edhe populli i Shqipërisë, do të zhgënjeheshin shumë nëse do të kishte manipulim të zgjedhjeve apo presion nga jashtë për institucionet si KQZ-ja. Nëse ndodh një gjë e tillë, ne nuk do të qëndrojmë në heshtje.

ENGEL:  Më lejoni të them këtë: Isha në Shqipëri disa vite më parë kur aty zhvilloheshin një prej zgjedhjeve. Mendoj në fakt se ishte 4 korriku i atij viti. Mbaj mend se si e pashë vetë me sytë e mi e u mahnita nga numri i madh i njerëzve që shkonin drejt kutive të votimit, të cilët tregonin të drejtën e tyre për të marrë pjesë në demokraci e për të votuar. Më solli ndërmend vendin tim. Dhe gjithmonë i kam parë shqiptarët si popullin më pro-amerikan, ndoshta edhe në të gjithë botën. E keni parasysh, kur kishte demonstrata ose kur Kosova u shpall e pavarur, pati më shumë flamuj amerikanë, mendoj, se sa flamuj të tjerë që valëviteshin. Prandaj kur merr parasysh faktin se ku ka qenë populli shqiptar dhe se ku kanë shkuar, kjo është një histori e mrekullueshme suksesi. Edhe pse ka pasur disa gunga përgjatë rrugës, duhet, mendoj, t’i shikojmë gjërat në perspektive: Kur isha i ri, ky ishte vendi më i izoluar i Europës, dhe tani, është po aq pro-SHBA dhe pro-demokracisë sa çdo vend tjetër në Europë.

Dua t’ju pyes për KQZ-në – duke u kthyer te ajo që përmendi z. Aderholt: Nëse tre vendet bosh janë të gjitha emërime të opozitës – nuk e kuptoj, nuk do të ishte në leverdi të secilit grup të emëronte kontingjentin e plotë për në KQZ? A nuk do të donit të kishit më shumë njerëz në KQZ për t’u siguruar që do të merrnit pjesë të barabartë? Atëherë ç’të shtyn të mos e bësh këtë?

A mendoni se kjo do të zgjasë? Dua të them, nëse do t’i emëronin tre njerëzit e tyre javën e ardhshme, mendoj se nuk do të kishte problem. Nëse do të lihej për në 23 qershor, mendoj se kjo do të hidhte shumë hije dyshimi për zgjedhjet.

REEKER:  Atëherë, mendoj, z. kongresmen, se mesazhi më i mirë që mund të jap është të them se nuk mund t’u tregojmë si të zgjidhin problemin që kanë me KQZ-në ose t’u tregojmë si të jetojnë jetët e tyre, si të bëjnë demokraci. Ajo që mund t’u vëmë në dukje janë institucionet që kanë, të cilat u ofrojnë mundësi si edhe pritshmërinë, përkushtimet që kanë ndërmarrë. Dhe mendoj se mesazhi më i mirë është që partitë të bashkohen, që ato të kërkojnë kompromis dhe të gjejnë zgjidhje që i lejon KQZ-së të zbatojë detyrën e ngarkuar dhe ta bëjë këtë në mënyrë të besueshme dhe të frytshme.

Dhe kam besim, sepse si edhe ju, kongresmen, kam kaluar kohë me politikanët në Shqipëri; i konsideroj ata në të gjithë spektrin politik miq, ashtu siç jemi miq edhe me popullin e Shqipërisë. Dhe kam besim se ata kanë mundësinë të lënë mënjanë llogaritë e tyre dhe të ulen e të bëjnë atë që është më e mira për institucionet e tyre, për KQZ-në në këtë rast, dhe të përpiqen të gjejnë kompromis, përsëri, që të mund të lejojnë KQZ-në të zbatojë detyrën e saj në mënyrë efikase dhe të besueshme. Kam shumë besim se mund ta bëjnë këtë.

Nuk mund t’u japim receta, duke u thënë ja këtë duhet të bëni, por e dimë dhe mendoj se populli i Shqipërisë e di gjithashtu se drejtuesit e përgjegjshëm politikë do ta bëjnë këtë gjë, do të ulen dhe do të gjejnë një zgjidhje e ta bëjnë sa më shpejt këtë, tani, në mënyrë që të kenë besimin se në periudhën drejt këtyre zgjedhjeve, në 23 qershor, do të kenë zgjedhje të lira dhe të drejta që të mund të tregojnë vullnetin e popullit.

ENGEL:  Çfarë ndikimi do të kishte zhvillimi i zgjedhjeve me sukses në Shqipëri për rajonin, në pjesën tjetër të Ballkanit, vendet fqinje, si Maqedonia dhe Mali i Zi? A ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis zhvillimeve në Shqipëri dhe disa zhvillimeve në vendet fqinje?

REEKER:  Faleminderit që e bëtë këtë pyetje, sepse si njeri që punon në të gjithë rajonin – dhe ju e dini shumë mirë këtë, kongresmen – politikanët e Ballkanit e kanë gjithmonë mendjen në situatat e vendeve fqinje. Dhe bëjnë natyrisht krahasime. Prandaj mendoj se asnjë zgjedhje kombëtare nuk mund të shihet më vete. Kjo vlen edhe për zgjedhjet e afërta në Shqipëri. Mendoj se kemi parë kohët e fundit disa shembuj në rajon se si vendet kanë zgjidhur probleme në dukje të vështira ose se si kanë ecur përpara në rrugët e tyre të demokracisë dhe rrugëve drejt integrimit euro-atlantik – si Sllovenia e cila gjeti një mënyrë për te ecur përpara në debatin e saj të gjatë me Kroacinë, për të ratifikuar hyrjen e Kroacisë në traktat; Marrëveshja Serbi-Kosovë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja që ju e përmendët më parë – këto kanë ndikim. Dhe këto merren parasysh në të gjithë rajonin.

Tani, nëse mendoni për vitin e kaluar, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, të gjitha kanë zhvilluar zgjedhje që janë konsideruar në përgjithësi të lira e të drejta dhe që kanë përmbushur pjesën më të madhe të standardeve të OSBE/ODIHR-it. Dhe kështu shpresojmë se shqiptarët do të bëjnë më të mirën e tyre për të përsëritur këtë sukses.

Zgjedhjet e suksesshme do të shërbenin në të vërtetë për të përforcuar përparimin demokratik të Shqipërisë dhe mund të shërbenin si një shembull më shumë në rajon. Shpesh, Shqipëria ka qenë model shumë i mirë për rajonin për sa i përket punës së mirë me fqinjët e saj dhe mund të shërbejë sërish si –si shembull i përparimit demokratik. Do të donim të shikonim Shqipërinë tek luan rol drejtimi vendimtar në rajon, siç kanë bërë, veçanërisht në angazhime me popullatën tjetër shqiptare në Maqedoni, në Malin e Zi dhe Serbinë jugore dhe me të vërtetë, më tej, në Itali dhe në Greqi.

Pra kjo është mundësia dhe koha që shqiptarët të jepnin shembullin e tyre. Dhe zhvillimi i mirë i zgjedhjeve do të ishte një shembull i mirë. Dhe e di se nuk do të kalonte ky sukses pa u vënë re ne Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kolegët e mi në institucionet e Bashkimit Europian dhe në Komisionin Europian kanë punuar jashtëzakonisht shumë në përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë përgjatë kësaj rruge drejt statusit kandidat për në BE.

ENGEL:  Atëherë Ambasador, faleminderit sërish. Dua t’ju falënderoj për punën e mirë gjatë gjithë viteve dhe për dëshminë tuaj të qartë, inteligjente këtë pasdite. Si anëtar Kongresi shumë i përfshirë në Shqipëri, gjatë viteve kam pasur besim te populli shqiptar dhe kam besim se këto zgjedhje do të shkojnë mirë dhe se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën që ka nisur që prej përmbysjes së zinxhirëve të komunizmit dhe ka ecur përpara dhe nuk do të jetë vetëm një anëtare e NATO-s por edhe e BE-së gjithashtu.

Prandaj, sërish, faleminderit dhe pres me padurim të vazhdoj punën me ju.

REEKER:  Faleminderit shumë, kongresmen. Dhe dua thjesht të pohoj se shembulli që japim duke punuar mes degës ekzekutive dhe asaj legjislative njëzëri mbi çështje si mbështetja jonë për Shqipërinë – këmbëngulja jonë dhe nxitja që Shqipëria dhe drejtuesit e saj të shfrytëzojnë potencialin e tyre në maksimum, të përmbushin angazhimet që kanë ndërmarrë – është në vetvete model dhe na ndihmon në këtë përpjekje të përbashkët.

Faleminderit për gjithçka bëni për Shqipërinë dhe për rajonin.

ENGEL:  Faleminderit.

ADERHOLT:  Ambasador, më lejoni t’ju pyes përpara se të kalojmë në panelin tjetër, hetimi i çështjes së “Shtëpisë së Verdhë” dhe dyshimeve për trafikim organesh, sa i përparuar është hetimi, dhe a kanë qenë bashkëpunues autoritetet shqiptare në hetim ndërsa ky hetim vazhdon?

REEKER:  Faleminderit kongresmen. Më lejoni të them në fillim se Shtetet e Bashkuara i marrin shumë seriozisht të gjitha dyshimet për krime lufte dhe krime të tjera të rënda. E mbështesim hetimin e plotë e gjithëpërfshirës të dyshimeve të përfshira në raportin e vitit 2010 të Këshillit të Europës, të njohur si Raporti Marti. Dhe ky hetim, siç e thatë edhe ju, po kryhet nga Task Forca Speciale e Hetimit të Bashkimit Europian nën EULEX-in, një hetim penal gjithëpërfshirës, i cili mbulon disa juridiksione. Siç e vërejtët edhe ju ky hetim përfshin Shqipërinë, si edhe Kosovën dhe vende të tjera potencialisht në rajon, ku hetohen dyshime që janë më shumë se dhjetëvjeçare. Ky hetim do të vazhdojë të jetë i gjatë e i ndërlikuar, por mendoj se të gjithë jemi të kënaqur nga task forca, e cila drejtohet nga ish ambasadori fuqiplotë për çështje të krimeve të luftës Clint Williamson, një prej individëve më të kualifikuar në këtë fushë në botë.

Kanë përparuar mirë. Kanë mbledhur prova, duke punuar në nxitjen e bashkëpunimit me vendet e treta, përfshirë Shqipërinë, dhe kanë kryer veprime operative hetimi. Qeveria shqiptare po bashkëpunon me këtë hetim. Vlen të përmendet se në maj të vitit 2012, rreth një vit më parë, Parlamenti Shqiptar miratoi një ligj me thuajse mbështetje unanime që i lejoi Njësisë Speciale Hetimore të EULEX-it të hetonte dyshimet e hedhura nga Raporti Marti. Vetë Kryeministri Berisha shprehu publikisht mbështetjen e tij për këtë përpjekje.

Prandaj si në të gjitha hetimet, nuk duam të paragjykojmë rezultatin e hetimit në proces po thjesht nënvizojmë mbështetjen tonë për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për ata që po e kryejnë. Dhe duam të përgëzojmë qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, Serbisë dhe të tjerët në rajon për mbështetjen e tyre në këtë çështje.

ADERHOLT:  Mirë, faleminderit shumë, Ambasador, për praninë tuaj këtu sot dhe për punën që bëni në rajon. Dhe siç e përmendi kolegu im, Eliot Engel, jemi gjithë shpresë se zgjedhjet që do të zhvillohen në qershor do të jenë të lira, të drejta dhe se do të zgjidhet çështja e KQZ-së, gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme për ata në mënyrë që të ecin përpara dhe të sigurohen jo vetëm se do të ketë zgjedhje të ndershme, por të krijojnë edhe perceptimin se zgjedhjet janë të ndershme. Prandaj, sigurisht i urojmë më të mirat Shqipërisë ndërsa ata ecin përpara në javën e ardhshme.

Pra, faleminderit që ishit këtu dhe presim me padurim të punojmë me ju në çështje me interes të përbashkët.

REEKER:  Faleminderit, kongresmen.