Deklaratë për Shtyp e John Kerry-it Sekretar i Shtetit, Uashington, DC

Përgëzoj Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes sot në Dialogun e Ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian prej Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton. Kjo marrëveshje mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve kërkonte kompromis dhe kurajo politike nga të dyja palët, dhe unë i përshëndes qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për ndërmarrjen e vendimeve të vështira që do t’i afrojnë më shumë me synimet e tyre për integrim europian. Tani i nxis të dyja vendet që të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht të gjitha marrëveshjet e Dialogut të arritura deri më sot, në mënyrë që të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe në Serbi të mund të vazhdojnë të ndërtojnë një të ardhme më paqësore dhe të begatë.

Përgëzoj Përfaqësuesen e Lartë Ashton për ndërmjetësimin e këtyre bisedimeve midis Kryeministrit serb Ivica Dacic dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Udhëheqësia dhe përkushtimi i saj patën rëndësi kritike në arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme.

Shtetet e Bashkuara do të kenë përkushtim të thellë për ta parë popullin e Serbisë, Kosovës, dhe të gjithë rajonit të realizojnë aspiratat e tyre të integrimit në një Europë të lirë, të plotë dhe në paqe.