Deklaratë për Median e Ambasadores Yuri Kim

Pyetje: Zonja Ambasadore pse zgjodhët Elbasanin sot?

Ambasadorja Kim: Së pari, është kënaqësi e madhe që jam në Elbasan sot. Kam qenë këtu pak muaj më parë, për një aktivitet ndërgjegjësues për kancerin e gjirit, por kalova vetëm një orë këtu. Siç e dinë të gjithë, kjo është një javë shumë e rëndësishme. Ditën e hënë – të hënën apo të martën – të hënën, partitë dorëzuan listat e kandidatëve të tyre. Në të shkuarën, gara në qytetin e Elbasanit ka qenë shumë e rëndësishme, prandaj mendova se ishte një moment i mirë për të ardhur këtu për ta parë vetë situatën, për t’u takuar me drejtuesit, por edhe për të biseduar vetë me njerëzit.

Pyetje: Cilat ishin disa nga shqetësimet që ju ngritën drejtuesit dhe cilat ishin sugjerimet tuaja?

Ambasadorja Kim: Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta lidhur me cilat janë pritshmëritë tona për kanditatë të pastër.  Është thelbësore që udhëheqësit politikë të marrin përgjegjësitë që listat e tyre janë në përputhje me ligjin shqiptar dhe që marrin parasysh përcaktimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kur vendosen, nuk bëhen lehtësisht. E di që disa mund të thonë se “po, është përcaktuar nga SHBA por nuk është dënuar.” Mendoj se shumica e njerëzve me logjikë do të thonin se kjo nuk është provë pafajësie, por është provë e mangësive të sistemit të drejtësisë të Shqipërisë dhe nevojës për reformën në drejtësi. Kjo nuk ka të bëjë me nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por ka të bëjë me nëse Sekretari i Shtetit ka vendosur, pas kërkimit, informacionit, dhe kohës të bollshme që dikush përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Dhe nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, mendoj se është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj.

Pyetje: Zonja Ambasadore, keni deklaruar disa kohë më parë për të ndaluar kandidimin e Zotit Doshi për deputet në qarkun e Shkodrës. A ka raste analoge në qarkun e Elbasanit në dy apo tre listat që partitë kanë dorëzuar që mund t’iu kenë servirur qytetarëve në listat që tashmë janë depozituar prej 48 orësh në KQZ?

Ambasadorja Kim: Janë tre emra që Sekretari i Shtetit i ka përcaktuar. Nuk do t’ua zë emrat me gojë por mund t’i shihni vetë. Më lejoni të them për çështjen e listave, siç e thamë më herët, pikëpamja e SHBA është bërë e qartë në mënyrë jodiplomatike nga unë. Mendoj që partitë e kanë marrë atë parasysh, jo të gjitha, por shumica e tyre. Tani listat janë në KQZ dhe është detyra e tyre, së bashku me prokurororët që t’i kontrollojnë, t’i vetojnë ata kandidatë. Dhe mendoj që nuk do të habiteshim nëse disa kandidatë do të skualifikohen pas atij procesi. Por fuqia përfundimtare qëndron këtu: fuqia përfundimtare qëndron tek votuesit. Në një përmirësim domethënës nga e kaluara, në këto zgjedhje, votuesit do të kenë mundësinë të zgjedhin jo vetëm partinë por edhe kandidatin. Kam dëgjuar që blerja e votës është problem, in Elbasan por jo vetëm në Elbasan. Ja çfarë kam për t’iu thënë atyre që do të tentojnë të blejnë vota: jeni duke shkelur ligjin dhe jeni duke turpëruar veten. Atyre që iu kërkohet të shesin votën, do t’ju thoja: vota juaj është pushteti juaj, mos e dorëzoni.

Pyetje: Zonja ambasadore, sa larg do të jenë shqiptarët në zgjedhjet e 25 prillit nga shitblerja e votes? Është një fenomen i njohur në Shqipëri.

Ambasadorja Kim: Siç e dini, kur dhashë një intervistë një muaj më parë, folëm për praktikën e zakonshme që njerëzit marrin telefonin me vete në vendin e votimit për të fotografuar votën. Jam e lumtur të dëgjoj që KQZ që do të ndalojë kategorikisht përdorimin e celularëve në vendet e votimit. Mendoj që është detyrë e autoriteteve zgjedhore që të marrin hapa praktike që ta bëjnë më të vështirë, jo më të lehtë që shitjen ose blerjen e votës.

Pyetje: Zonja Ambasadore, perveç emrave që përmendët, a keni informacione për emra të tjerë që kanë probleme me ligjin që janë përfshirë në lista?

Ambasadorja Kim: Mendoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë dhe bisedat tona me udhëheqësit politikë, siç e dini, janë sipas stilit tim shumë të sinqerta. Ju faleminderit shumë. Do doja të kisha më shumë kohë.

Pyetje: Çfarë ndodh nëse Shqipëria edhe këtë radhë nuk zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme, e humbet trenin apo nuk hypën fare në tren?

Ambasadorja Kim: Jam besimplotë që Shqipëria do të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është pritshmëria ime. Por nuk do të thotë që duhet të relaksohemi, të gjithë kemi një rol për të luajtur, përfshi edhe shtypin.

Pyetje: Iu referuat tre emrave. Është për Elbasanin apo për gjithë Shqipërinë?

Ambasadorja Kim: Jo, jo, gjithë Shqipërinë. Mund ta gjeni në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit. Faleminderit.