Deklaratë nga Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson mbi Sulmin Kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë sulmin kibernetik të Iranit kundër aleates sonë në NATO, Shqipërisë. Bashkohemi me thirrjen e Kryeministrit Edi Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident kibernetik të paprecedentë. Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin hapa të mëtejshme që Irani të mbajë llogari për veprime që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA dhe përbëjnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike.

Për disa javë, qeveria e SHBA ka punuar në terren përkrah partnerëve të sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, për t’u rikuperuar, dhe për të hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut që shkatërroi të dhëna të qeverisë dhe ndërpreu shërbimet e qeverisë për publikun. Kemi arritur në përfundimin se ishte Qeveria e Iranit që e kreu këtë sulm kibernetik të çartur dhe të papërgjegjshëm dhe se ajo është përgjegjëse për operacionet pasuese të hakimit dhe rrjedhjes së informacioneve.

Sjellja e Iranit injoron normat e sjelljes shtetërore të përgjegjshme në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, e cila përfshin normën për të mos kryer akte që dëmtojnë infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun. Shqipëria i konsideron rrjetet e prekura qeveritare si infrastrukturë kritike. Aktiviteti kibernetik dashakeq nga një shtet që qëllimisht dëmton infrastrukturën kritike ose përndryshe pengon përdorimin dhe funksionimin e saj për të ofruar shërbime për publikun mund të ketë efekte kaskadë të brendshme, rajonale dhe globale; mund të përbëjë një rrezik të shtuar për dëm ndaj popullsisë; dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet korrigjuese të Shqipërisë në mënyrë afatgjatë dhe do të ftojmë partnerë dhe aleatë të bashkohen me ne për t’i kërkuar llogari aktorëve kibernetikë dashakeqë dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme digjitale.