Deklaratë nga Sekretari Tillerson në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Gruas

Në nder të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Gruas më 25 nëntor dhe 16 ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Shtetet e Bashkuara riafirmojnë angazhimin e tyre për të mbrojtur të drejtën e grave dhe vajzave për të jetuar pa dhunë.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Gruas dhe 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore janë një fushatë ndërkombëtare për të përqëndruar vëmendjen botërore në goditjen e dhunës ndaj grave, duke përfshirë martesat e fëmijëve dhe ato të detyruara, dhunën në familje dhe të gjitha format e trafikimit njerëzor. Ne e dimë se dhuna ndaj grave dhe vajzave rrezikon paqen dhe sigurinë botërore. Ajo dobëson qelizën shoqërore që lidh së bashku familjet dhe komunitetet dhe i pengon vendet të arrijnë qëndrueshmërinë shoqërore dhe zhvillimin ekonomik.

Afro dy dekada pasi Asambleja e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara themeloi Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Kundër Grave, ne vazhdojmë të pranojmë se dhuna kundër grave mbetet një kërcënim i vazhdueshëm dhe një pengesë për arritjen e barazisë së grave. Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht të alarmuara nga përdorimi i dhunës kundër grave nga grupet ekstremiste, si një taktikë terrori për të shtypur gratë, për të rekrutuar terroristë dhe për të stigmatizuar komunitete. Ne e dënojmë përdorimin e rekrutimit të detyruar, shfrytëzimit seksual dhe abuzimit, përfshirë edhe trafikimin seksual të grave dhe vajzave nga organizatat terroriste.

Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithnjë të palëkundura në mbështetjen e tyre për barazinë e grave. Në partneritet me qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në mbarë botën, ne do të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave në botë dhe për t’u siguruar që gratë dhe vajzat të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta. Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit, i bëjmë thirrje të gjitha qeverive të bashkohen me ne në përgjegjësinë tonë të përbashkët për t’i dhënë fund dhunës kundër grave.