Deklarate nga Jen Psaki mbi 27 Banorë të Kampit Hurriya Nisen për në Shqipëri

Më 19 dhe 21 qershor, dy grupe banorësh te Kampit Hurriya, gjithsej 27, u rivendosën në mënyrë të përhershme në Shqipëri. Kjo ishte e treta lëvizje e planifikuar sipas kushteve të një oferte bujare nga Qeveria e Shqipërisë për të pranuar 210 individë nga Kampi Hurryia. Shtetet e Bashkuara falënderojnë Shqipërinë për dhembshurinë në këtë përpjekje humanitare. Deri tani, 71 individë janë vendosur në Shqipëri si pjesë e kësaj marrëveshjeje, dhe presim me kënaqësi që edhe individë të tjerë të rivendosen sa më parë që të jetë e mundur.

Shtetet e Bashkuara mbështetin fort punën e Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Misionin e Ndihmës së OKB-së në Irak (UNAMI), si dhe përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm Martin Kobler të Sekretarit të Përgjithshëm OKB-s për të rivendosur banorët e mbetur të kampit jashtë Irakut. Nxisim udhëheqjen e Mujahedin-e Khalq, si dhe të gjitha palët përgjegjëse, që të sigurojnë bashkëpunim të plotë me procesin e UNHCR për rivendosjen në mënyrë që lëvizjet e ardhshme të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rivendosja e banorëve të Kampit Hurriya jashtë Irakut është një mision humanitar jetësor për sigurinë dhe garancinë e tyre. Shtetet e Bashkuara ribëjnë thirrjen ndaj Qeverisë së Irakut që të ndihmojë garantimin e sigurisë së kampit në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit me Kombet e Bashkuara të 25 dhjetorit 2011. Kjo është një çështje urgjence maksimale duke pasur parasysh kanosjet ndaj kampit. Më tej, ribëjmë thirrjen ndaj Qeverisë së Irakut që të hetojë dhe nxjerrë përpara drejtësisë terroristët përgjegjës për sulmin me raketa të 15 qershorit kundër kampit.