Deklarate e Sekretarit Xhon Keri per Diten e Tokës

Shtetet e Bashkuara i bashkohen sot vendeve në botë që përkujtojnë Ditën e Tokës.  Qëkur u përfshiva për herë të parë në Ditën e Tokës, në Masaçusets, në vitin 1970, kjo ka qenë gjithmonë një ditë për të reflektuar mbi sfidat tona ndaj mjedisit dhe përgjegjësinë që kemi për të mbrojtur burimet tona natyrore që na ka dhënë Perëndia, në një planet të brishtë që ne ndajmë me pjesën tjetër të njerëzimit dhe të cilin ne duhet ta mbrojmë për brezat e ardhshëm.

Tema e këtij viti për Ditën e Tokës, Tablotë e Ndryshimeve Klimaterike, vë një theks të veçantë mbi ndikimin e vërtetë që ndryshimi klimaterik ka mbi njerëzit kudo, dhe tregon se sa qartësisht të lidhur jemi ne të gjithë.  Ajo ç’ka bën një vend ndikon në jetët e njerëzve diku tjetër – dhe ajo që ne të gjithë bëjmë tani mbi ndryshimet klimaterike, do të përcaktojë gjerësisht planetin që do të lëmë për fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë.  Siç ishte e qartë në fjalimin e dytë inagurues të presidentit Obama dhe në mesazhin e tij të përvitshëm mbi gjendjen e Sh.B.A-së, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në këtë sfidë duke bashkëpunuar me partnerët tanë në mbarë botën përmes veprimeve ambicioze për të reduktuar emetimet, shndërruar ekonomitë tona të energjisë, dhe për të ndihmuar më të pambrojturit për t’u përballur me efektet e ndryshimit të klimës.  Ballafaqimi me përgjegjësi ndaj rrezikut të qartë dhe aktual të ndryshimeve klimaterike, ishte fokusi i vizitës sime të fundit në Kinë, dhe kjo është një sfidë që unë do të angazhohem për të përmbushur kudo ku do të udhëtoj si Sekretar i Shtetit.  Në qoftë se ka pasur ndonjëherë një çështje që kërkon bashkëpunim më të madh, ortakëri, dhe diplomaci të përkushtuar, kjo është ajo çështje.

Shkenca po na alarmon ne të gjithëve duke na kërkuar që të veprojmë.  Nga viset e largëta të Detit Ros në Antarktidë, deri në tokat e lagura tropikale në Azinë Juglindore, ne kemi përgjegjësinë për të mbrojtur dhe për të përdorur në mënyrë të qëndrueshme burimet natyrore të planetit tonë, dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkushtimin e tyre për trajtimin e sfidave globale mjedisore.