Deklaratë e Ambasadës së SHBA

Ne mirëpresim vendimin e sotëm për të shtyrë votimin e kuvendit mbi anëtarësinë në KQZ, dhe nxisim partitë politike që ta përdorin këtë kohë për diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera. Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje në mënyrë konseguente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri – atyre në qeveri dhe atyre në opozitë – që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve.

Për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor – konsiderohen se janë apolitikë. Me t’u emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë – si dhe për hir të qartësisë morale – ne nxisim të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së.

###