Deklaratat për Shtyp të Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-Aziatike Victoria Nuland

Ndihmës Sekretarja Nuland: Faleminderit të gjithëve.  Kjo është ndalesa e gjashtë në këtë tur ballkanik në shtatë vende që po bëj bashkë me skuadrën tonë me përfaqësues të agjencive të ndryshme të shërbimit.   Ky është viti  i dytë që e bëjmë këtë lloj udhëtimi.  Është një mundësi për të qënë në kontakt me partnerët dhe aleatët tanë në mbarë rajonin. Kështu që është një mundësi për ne për të biseduar për çështje rajonale, për të folur për kontributin që vendet e Ballkanit bëjnë për paqen dhe sigurinë globale, por gjithashtu për të punuar së bashku mbi çështjet që SHBA kanë mbështetur për një kohë të gjatë në mbarë rajonin: çështjet e demokratizimit, ekonomisë dhe shtetit ligjor, dhe rrugën Euro-Atlantike për të gjitha vendet në rajon dhe mënyrën se si ato punojnë së bashku për këto çështje.

Pra, patëm një pasdite mjaft të ngjeshur.  Patëm një bisedë të gjatë me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm.  Gjithashtu pata mundësinë të ulesha me Presidentin dhe pastaj shkova të takoja z. Basha, kryetarin e opozitës.  Patëm gjithashtu një tryezë të rrumbullakët të jashtëzakonshme me një rang të gjerë organizatash joqeveritare nga një numër sektorësh, që punojnë për çështjet e demokracisë, çështjet e shtetit ligjor, të drejtat e komunitetit LGBT, çështjet e mjedisit. Dhe në të gjitha këto biseda,  ne folëm për një rang të gjerë çështjesh që janë pjesë e Partneritetit Strategjik Shqipëri-Shtetet e Bashkuara që ne firmosëm vitin e kaluar. Ne folëm për sigurinë, për punën që bëjmë së bashku në NATO.  Ne folëm për reformën në gjyqësor, shtetin ligjor, dekriminalizimin. Ne folëm për zgjedhjet e fundit që patët dhe procesin demokratik për ecjen përpara.  Ne folëm për zhvilimet në rajon dhe me fqinjët tuaj.  Dhe sigurisht ne kemi folur për çështjet ekonomike, rritjes, investimit dhe mundësive për energjinë.

Mesazhi im ishte i njëjti në çdo takim me qeverinë, me opozitën, dhe me organizatat joqeveritare: Shtetet e Bashkuara për 20 vjet kanë investuar investuar dhe janë kujdesur për zhvillimin Euro-Atlantik të Shqipërisë. Ju keni bërë përparim të madh në 20 vite. Ne kemi qënë krenar që kemi qënë partnerët dhe aleatët tuaj në këtë proces, por nuk ka nevojë që unë t’u them se ka ende mbetet mjaft punë për t’u  bërë dhe se ne do të qëndrojmë me ju ndërsa e bëni këtë,  pavarësisht nëse është luftë kundër ekstremizmit, sigurimi që brezat e ardhshëm të përfitojnë nga një Shqipëri e pastër dhe demokratike, apo që të përmbushni aspiratat tuaja, jo vetëm për të qenë në NATO por edhe anëtarë të Bashkimit Europian.

Dhe tani do të pranoj disa pyetje.

TCH: Met Veliu, televizioni Top Channel.  Populli shqiptar vlerëson çdo deklaratë të bërë nga ambasadori juaj në Tiranë në lidhje me pastrimin e sistemit të drejtësisë por të gjithë bëjnë pyetjen: kur ambasada do të publikojë emrat e të korruptuarve brenda sistemit të drejtësisë? Keni ndonjë plan për ta bërë këtë në të ardhmen? Faleminderit.

N/S Nuland: Faleminderit për pyetjen. Në takimet si me qeverinë ashtu dhe me opozitën sot ne folëm gjerësisht  për angazhimet që ju keni bërë, që qeveria dhe parlamenti kanë bërë, për një reformë gjyqësore domethënëse dhe serioze. Ajo çfarë ju ka gëzuar juve, ajo që ka gëzuar dhe ne javën e fundit, është se duket se tani ka një angazhim nga ana e qeverisë dhe nga ana e opozitës për të punuar së bashku për këtë dhe se është rënë dakord mbi strukturat për ta bërë këtë.  Ka një arsye pse e keni parë ambasadorin tonë, Ambasadorin Lu, të flasë shumë hapur mbi nevojën për reformën në drejtësi dhe për nevojën për ta bërë atë në frymën e unitetit, në frymën e përkushtimit shumëpartiak. Kjo ndodh sepse të gjithë miqtë tuaj në Uashington, të gjithë miqtë tuaj në Shtetet e Bashkuara, besojnë se nëse nuk përballeni me këtë çështje komplekse dhe nëse nuk e bëni atë së bashku, të gjithë të interesuarit në Shqipëri, atëherë nuk do të jeni në gjendje ta ndërmerrni atë hapin tjetër demokratik. Dhe populli shqiptar ka pritur tepër gjatë për një drejtësi të pastër, të paanshme, për të pasur besim në gjykatat e tij. Prandaj nuk është çështja nëse Shtetet e Bashkuara do të përmendin emra; çështja është që kjo reformë të prodhojë një sistem më të mirë, më të pastër ku gjyqtarët dhe prokurorët japing llogari, për sjellje të paanshme. Mendojmë se është e mundur me një reformë të mirë, me ligje të mira, me vënie të provë të sistemit si duhet, por kjo është diçka që duhet ta bëni ju; nuk është diçka që duhet ta bëjmë ne. dëgjova angazhimin e fortë të të gjitha palëve sot. Do të vëzhgojmë cilindo për t’u siguruar që do t’i përmbushin këto angazhime.

News24: Kemi dëgjuar shumë për dekriminalizimin. Çfarë do të bëjnë SHBA për t’u siguruar që politika shqiptare të pastrohet nga njerëzit me të kaluar kriminale?

N/S Nuland: Edhe kjo është një çështje për të cilën keni dëgjuar Ambasadorin Lu të flasë me forcë, për kriminalitetin në sistemin politik.  Ai e bën këtë me mbështetjen e plotë të të gjithëve ne në Uashington. Sinqerisht, në një demokraci, populli, votuesit meritojmë më shumë se sa t’u paraqiten kandidatë me të shkuar kriminale. Dhe ne iu bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të këmbëngulin që partitë politike këtu t’u ofrojnë kandidatë të pastër, t’u ofrojnë njerëz që duan ta çojnë vendin përpara në vend që ta tërheqin prapa. Por përsëri, ajo që duam të shohim është legjislacion ose ndryshime kushtetuese që e bëjnë shumë shumë të vështirë për cilëndo parti që të paraqesë njerëz që ka kriminalitet në të shkuarën e vet ose që duan të merren me kriminalitet nga pozicione pushteti. Megjithatë, nuk duhet të prisni që drejtësia të bëhet nga jashtë; nuk duhet të doni që Shtetet e Bashkuara të gjykojnë këtë apo atë apo atë tjetrin. Duhet të doni një sistem që e bën të pamundur që kjo të ndodhë. Prandaj poi  mbështesim reformat që do ta bënin një fushë të ndaluar për politikanët e pistë. Dhe duam të shohim të gjithë udhëheqësit e partive politike, pavarësisht nga krahët, që të bashkohen dhe të bëjnë ato lloj reformash sistemike legjislative që mbështet një sistem më të pastër. Përsëris, dëgjuam angazhime të mira si nga qeveria ashtu edhe nga opozita sot. Tani duhet të punojnë së bashku për ta bërë realitet.

Edhe një gjë të fundit përpara se të largohemi për në stacionin e fundit të vizitës; doja të thoja që kemi pasur biseda shumë të mira, kudo në spektrin politik sot si dhe me përfaqësuesit e OJQ-ve, lidhur me nevojën për t’u përballur me ekstremizmin dhe punën që jeni duke bërë për t’i trajtuar këto çështje në Shqipëri dhe në rajon. E konsiderojmë vërtet që Shqipëria ka dalë si udhëheqëse rajonale në këtë luftë dhe e vlerësojmë vërtet shumë këtë si partnerë. Keni një traditë të pasur bashkëpunimi shumëetnik dhe respektimit të ndërsjellë mes feve dhe kjo dërgon një mesazh shumë të fortë për rajonin dhe për botën dhe ne ju përgëzojmë për punën që po bëni për t’i forcuar këto prirje këtu dhe për të dhënë një shembull të fortë për fqinjët tuaj. Është gjithmonë diçka e shkëlqyer të jem këtu, por për fat të keq më duhet të largohem për në Beograd. Ju falenderoj që erdhët këtu sot.