Deklarata e Presidentit Barack Obama mbi Ditën e Kombeve të Bashkuara

SHTËPIA E BARDHË
Zyra e Sekretarit për Shtypin
23 tetor, 2013

DITA E KOMBEVE TË BASHKUARA, 2013

DEKLARATË

Në 1945, pas dy luftrash botërore që na shfaqën vdekshmërinë e tmerrshme të konfliktit modern, 51 shtete anëtare u mblodhën së bashku për të krijuar Kombet e Bashkuara, një organizatë të re dhe të guximshme, e cila kërkonte që të ndërtonte paqe të qëndrueshme për brezat që do të vinin. Sot, 68 vjet pas aprovimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ne festojmë Ditën e Kombeve të Bashkuara duke rikonfirmuar angazhimin tonë ndaj qëllimeve dhe parimeve të saj. Ne festojmë punën sfiduese dhe shpesh të anashkaluar të organizatës, për të krijuar një botë në të cilën çdo burrë, grua dhe fëmijë mund të jetojë në liri, dinjitet dhe paqe.

Me qëllimin për t’i kursyer fëmijët dhe nipërit e mbesat nga egërsia e luftës, anëtarët e Kombeve të Bashkuara u angazhuan “për të bashkuar fuqinë tonë për të pasur paqe ndërkombëtare dhe siguri.” Në pothuajse shtatë dekada që nga aprovimi i këtyre fjalëve në Kartën e Kombeve të Bashkuara, kërcënimet globale ndaj paqes dhe sigurisë kombëtare kanë ndryshuar, por nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar është rritur.  Ndërsa Kombet e Bashkuara u formuan pas një periudhe luftrash kataklizmike ndërmjet shteteve, shumë nga sfidat me të cilat përballen paqja dhe siguria ndërkombëtare sot i kanë rrënjët në nevojën për të parandaluar apo adresuar dhunën dhe masakrat e pafalshme brenda shteteve.  Ndërsa Shtetet e Bashkuara punojnë për të zgjidhur sfidat e vjetra dhe të reja, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me partnerët anembanë globit, duke përfshirë dhe Kombet e Bashkuara. Dhe duke pranuar se rruga drejt konfliktit shpesh fillon me mohimin e dinjitetit themelor njerëzor, ne mbetemi të angazhuar për realizimin e një tjetër parimi themelor të përcaktuar në Kartë – që askujt nuk duhet t’i mohohen liritë themelore të cilat i caktohen që në lindje.

Ndërsa ne kujtojmë themelimin e një organizate e cila u ndërtua për të vendosur paqen në një botë jo perfekte, le të rikonfirmojmë se ne ende udhëhiqemi nga vlerat që janë përcaktuar në Kartën e saj. Ato na kujtojnë ne se udhëheqësit dhe qytetarët, në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, do të gjykohen mbi atë ç’ka dhanë për një botë që është më paqësore, e drejtë dhe e lirë.  Le ti nderojmë burrat e gratë e vetë Kombeve të Bashkuara, të cilët punojnë në shtete anembanë rruzullit tokësor, shpesh në hije dhe të panjohur, për të përmirësuar jetët e njerëzve më të dobët të botës. Le të qëndrojmë të bindur në synimin tonë për t’i dhënë zë atyre që nuk kanë zë dhe për t’i shndërruar shpatat në plugje. Dhe kurrë nuk duhet të harrojmë të vërtetën thelbësore se ne jetojmë në një botë ku fatet tona janë të ndërlidhur së bashku si një komunitet i kombeve, të bërë më të fortë nga dallimet tona dhe më të bashkuar nga shpresat tona të përbashkëta për të ardhmen.

PRANDAJ, TANI, UNË, BARACK OBAMA, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bazë të autoritetit që më është dhënë nga Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpall 24 tetor 2013, si Ditën e Kombeve të Bashkuara. Unë i nxis qeveritarët e 50 shteteve dhe zyrtarët e të gjitha zonave të tjera nën flamurin e Shteteve të Bashkuara, për të festuar Ditën e Kombeve të Bashkuara me ceremoni dhe aktivitete të përshtatshme.

DËSHMOJ SE, unë kam vendosur firmën time këtë ditë të njëzetë e tretë të tetorit, në vitin e dymijë e trembëdhjetë të Zotit tonë, dhe të dyqind e tridhjetë e tetë të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BARACK OBAMA