Deklarata e Ndihmës Administratorit të USAID Brock Bierman pas Tryezës së Rrumbullakët me Këshillin e Lartë Gjyqësor

Nuk ka asnjë dyshim se, gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në forcimin e themeleve të saj ekonomike dhe demokratike. USAID ka mbështetur me krenari këto përpjekje dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Përparimi i mëtejshëm ka nevojë për përkushtim të vazhdueshëm ndaj reformës në drejtësi. Populli shqiptar meriton institucione transparente, sidomos institucione gjyqësore të pavarura që respektojnë zbatimin e ligjit. Korrupsioni pengon integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në institucione dhe tregje rajonale e botërore. Ai gjithashtu shkurajon investimet në sektorin privat. Integrimi dhe investimet janë kritike për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij vendi. Zhvillimi i bazuar në sipërmarrje, themeli i qëndrueshmërisë ekonomike afatgjatë të çdo vendi, varet nga zbatimi i drejtë, i parashikueshëm dhe transparent i ligjit. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të ndihmojë shqiptarët në betejën e tyre për të rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit është lufta e të gjithëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë është në pararojë të këtyre përpjekjeve. Shtetet e Bashkuara e mbështesin me forcë këtë Këshill dhe punën e tij. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Këshillin ndërsa çon përpara këto reforma. Unë i nxis shqiptarët kudo që ndodhen që të mbështesin këto reforma, të mbështesin këta këshilla dhe pres me kënaqësi  ngritjen e një sistemi drejtësie që iu shërben të gjithëve, si dhe i nxis anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë ata që mbështesin në mënyrë aktive reformat në drejtësi, që të mbeten të palëkundur në zbatimin e kësaj reforme.