Deklarata e Ambasadores Yuri Kim pas Takimit me Ministren e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka

Ambasadorja Yuri Kim: Faleminderit! Sapo patëm një takim të frytshëm mbi situatën shumë sfiduese në Afganistan. Menduam se do të ishte një ide e mirë që të koordinoheshim ngushtësisht. Së pari, më lejoni të them se, ashtu si të gjithë në mbarë botën, edhe ne jemi prekur thellë nga veprimi i popullit shqiptar, nga vendimi për t’u ofruar strehim përkohësisht njerëzve në nevojë të madhe. Jemi prekur se si populli shqiptar është i ndërgjegjshëm se edhe ata dikur kanë qenë në vendin e atyre, në vendin e atyre në nevojë për strehim. Por sërish, edhe duke kujtuar trashëgiminë krenare të Shqipërisë si komb, si popull, që strehon të huajt, pavarësisht besimit, racës apo çdo karakteristike tjetër të tyre. Kam folur për këtë, mendoj se edhe të huaj të tjerë kanë folur për konceptin dhe traditën shqiptare të Besës, diçka që bota duhet ta njohë dhe diçka për të cilën të gjithë ne duhet t’i jemi mirënjohës popullit shqiptar. Situata ndryshon me shumë shpejtësi, detajet nuk janë vendosur ende, por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkërendojnë nga afër me qeverinë shqiptare. Më lejoni ta mbyll duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për atë ç’ka vendosët të bëni. Faleminderit shumë!

Pyetje: Sa është numri i njerëzve që do të vijnë dhe kur do të vijnë?

Ambasadorja Kim: Ende nuk kemi një numër të saktë. Ndryshon me shpejtësi. Por ajo që mund të them është se njerëzit do të vijnë këtu përkohësisht, me idenë se do të vendosen përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Disa njerëz po zhvendosen direkt në Shtetet e Bashkuara dhe kjo, në njëfarë mënyre, është çështje procesi. Tashmë kemi disa mijëra në Shtetet e Bashkuara, unë ende nuk i di kalendarin apo shifrat, ne ende nuk i dimë kalendarin dhe numrat, por jam e sigurtë se detajet do të jenë më të qarta gjatë ditëve në vazhdim.