Cardin Bën Thirrje Për T’i Dhënë Fund Dhunës Kundër Gazetarëve në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

UASHINGTON—Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Senatori amerikan Ben Cardin (MD), Kryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (Komisioni i SHBA-së për Helsinkin) bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës kundër gazetarëve, duke theksuar katër vrasjet nga rajoni prej 57 vendesh i OSBE-së.

“Media e lirë dhe e pavarur përbën një prej gurëve të themelit në angazhimet e ndërmarra nga 57 vendet pjesëmarrëse në OSBE. Por në shumë vende, gazetarët vazhdojnë të përballen me ngacmime, kërcënime, kanosje dhe dhunë. Në vendet më të këqija, gazetarët janë vrarë dhe vrasësit e tyre nuk janë përballur me ligjin. Rreziqet janë veçanërisht të mëdha për reporterët investigues, të cilët kërkojnë të ekspozojnë korrupsionin dhe abuzimet me të drejtat e njeriut.

Ky vit shënon përvjetorin e 14-të të vrasjes në prillin e vitit 1999 të gazetarit të shquar serb dhe redaktorit Slavko Curuvija, i cili dëshmoi përpara Komisionit të Helsinkit mbi abuzimet e regjimit të Milosheviçit pak muaj përpara se të vritej. Në shkurt qeveria në Beograd ngriti një komision për të hetuar mbi vrasjet e Curuvija-s dhe gazetarëve të tjerë. Shpresoj që kjo nismë të çojë drejt masave ndëshkuese të vonuara kaq shumë.

Kanë kaluar gjashtë vjet që nga vrasja e 26-vjeçarit Alisher Saipov, gazetar nga Kyrgystani, i cili kishte nisur një gazetë në gjuhën uzbeke dhe kontribuonte për Zërin e Amerikës dhe Radio Europa e Lirë/Radio Liria përpara se të vritej me armë në Osh. Vitin e kaluar gjykata më e lartë e Kyrgystanit urdhëroi hetime të reja për këtë rast. Unë gjithashtu i nxis autoritetet ukrainase të garantojnë hetime të plota për vrasjen e Vladimir Goncharenkos, redaktori i gazetës së sigurisë mjedisore EKO Bezpeka. Goncharenko u rrah për vdekje në korrik të vitit 2012, por sulmuesit e tij nuk janë sjellë akoma përpara drejtësisë.

Sipas të gjitha të dhënave, Rusia mbetet vendi më vdekjeprurës për gazetarët në rajonin e vendeve të OSBE-së. Në 8 prill gazetari Mikhail Beketov humbi jetën nga komplikacionet që erdhën si pasojë e rrahjes që iu bë në vitin 2008, rrahje që e la invalid në shumë aspekte: në karrige me rrota dhe në pamundësi për të folur më. Si organizator bashkësie dhe redaktor i një gazete të vogël në Rusi, Beketov sfidoi autoritetet lokale dhe korrupsionin në lidhje me një plan të diskutueshëm për të ndërtuar një autostradë përmes pyllit të vjetër e të famshëm në rrethinat e Moskës, në qytetin e Khimkit. Në vitin 2007, shumë pak kohë pas thirrjes për dorëheqjen e administratës së Khimkit, qeni i tij u vra dhe makina e tij u dogj. Sypatrembur, Beketovi vazhdoi të raportonte derisa zëri i tij u hesht përgjithmonë nga sulmuesit me shkopinj bejzbolli. Duke i shtuar këtij lëndimi të madh edhe poshtërim, Vladimir Strelchenko, kryebashkiaku i Khimkit dhe i dyshuar për sulmin dhe rrahjen, fitoi çështjen për shpifje në vitin 2010 kundër Beketovit. Edhe në gjendje të vdekur, autoritetet e Khimkit u përpoqën të mos lejonin realizimin e dëshirës së Beketovit për t’u prehur në qytetin që donte aq shumë. Edhe sot, askush prej sulmuesve nuk është sjellë përpara drejtësisë për këtë krim kaq të dhimbshëm kundër Mikhail Beketovit dhe popullit të cilin ai u përpoq të informonte.

Së fundi, përgëzoj përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë dhe Median, Dunja Mijatovic, për përqendrimin e saj të mprehtë, raportimin e saktë dhe përpjekjet për të mbrojtur shtypin e lirë dhe të pavarur. Vlerësimet  e saj të sinqerta periodike përpara shteteve pjesëmarrëse  do të ndihmojnë në garantimin se këto raste nuk do të harrohen.

Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur gjithashtu si Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Helsinkin, është agjenci e pavarur e Qeverisë Federale me detyrë monitorimin e veprimit në përputhje me Marrëveshjet e Helsinkit dhe përparimin e sigurisë së përgjithshme nëpërmjet nxitjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëpunimit ekonomik, mjedisor dhe ushtarak në të 57 vendet. Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë nga Senati i Shteteve të Bashkuara, nëntë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga një anëtar nga Departamenti i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë.