Flag

An official website of the United States government

2 MINUTA LEXUAR
5 Prill, 2023

Deklaratë e Përbashkët

Sot, më 5 prill, Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann dhe Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim u takuan me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

Komisioneri Celibashi i informoi ambasadoret mbi përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023. Gjithashtu, Komisioneri theksoi përpjekjet e KQZ-së për të garantuar një garë të ndershme, duke përfshirë monitorimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe transparencën për të dhënat financiare.

Dy ambasadoret theksuan se ishte thelbësore për procesin zgjedhor që institucionet si KQZ-ja të lejoheshin ta kryenin punën e tyre pa ndërhyrje dhe se njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin lirisht për kë të votojnë. Ambasadorja Hohmann e lidhi zhvillimin e zgjedhjeve me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë është duke u zhvilluar dhe ka përfunduar shqyrtimi i grupimit të parë të kapitujve, ku zgjedhjet janë një komponent i rëndësishëm i bazave. Prandaj, do t’i kushtohet vëmendje e shtuar zhvillimit të zgjedhjeve lokale”, tha Ambasadorja Hohmann.

Dy ambasadoret theksuan rëndësinë e integritetit të kandidatëve në zgjedhje dhe të pasurit e kushteve të barabarta për konkurrentët elektoralë. Ato theksuan se KQZ-ja duhet të ruajë besueshmërinë dhe respektin e arritur deri tani dhe të fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të paplotësuara të ODIHR-it.

Komisioneri Celibashi falënderoi BE-në dhe SHBA-në për mbështetjen e tyre ndaj KQZ-së dhe procesit zgjedhor më gjerësisht. Celibashi vlerësoi në veçanti platformën digjitale të financuar nga BE-ja për raportimin e financimit të partive dhe fushatave, zbatuar përmes Këshillit të Evropës.