Ambasadori i SHBA Alexander A. Arvizu Akordon Grant për Mirëmbajtjen e Fondit Arkeologjik të Qendrës për Studime Albanologjike

Ambasadori i SHBA Alexander A. Arvizu nënshkroi sot një grant me vlerë 103,000 dollarë për Qendrën e Studimeve Albanologjike, akorduar nga Fondi i Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP). Granti do të përdoret për të rehabilituar dhe modernizuar ambjentet e ruajtjes së objekteve të kësaj Qendre. Përmirësimet do të përfshijnë: riparimin e sistemit hidraulik, instalimin e alarmit të zjarrit, instalimin e kontrollit të temperaturës dhe ndërtimin e rafteve te arkivës për të ndaluar humbjen dhe dëmtimin e koleksionit.

Qendra e Studimeve Albanologjike ka një koleksion objektesh nga qendra arkeologjike nga e gjithë Shqipëria, duke filluar nga periudha prehistorike e deri tek periudha mesjetare. Koleksioni arkeologjik përmban mbi 18,000 objekte shumë prej të cilave janë shembuj unik të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe janë me rëndësi historike.

Granti do të administrohet nga dega shqiptare e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM). I krijuar në 1946 nga dhe për profesionistët e muzeve, ICOM ka pothuajse 30,000 anëtarë nga 137 vende.  Anëtarët janë ekspertë në ruajtjen e muzeve, mirëmbajtjen dhe kurimin e tyre, si dhe i përgjigjen sfidave të ruajtjes me të cilat përballen muzetë në të gjithë botën.  Si një organizatë me interes publik,  ICOM i dedikohet praktikave etike të muzeve dhe siguron që anëtarët e saj të jenë të trajnuar në mënyrë të përshtatshme në drejtimin, ruajtjen, dhe ruajtjen e objekteve arkeologjike dhe koleksioneve të muzeve.

Fondi i Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore mbështet mbrojtjen e qendrave kulturore, objekteve kulturore dhe formave të shprehjes së kulturës tradicionale në më shumë se 100 vende në zhvillim në të gjithë botën.  AFCP-ja mbështet projekte të përfshira në restaurimin e ndërtesave antike dhe ndërtesa historike në të gjithë botën.  Projektet e mbështetura nga ky fond përfshijnë restaurimin e ndërtesave historike dhe antike, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e dorëshkrimeve të rralla dhe koleksioneve të muzeve, ruajtjen dhe mbrojtjen e qendrave arkeologjike si edhe dokumentacionin e traditave artizanale dhe gjuhëve indigjene që janë në zhdukje.

Trashëgimia kulturore shërben si një kujtesë e kontributeve dhe përvojave historike të njerëzimit. Duke marrë një rol udhëheqës në përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, SHBA tregon respektin e saj për kulturat e tjera.

###