Ambasadori Alexander A. Arvizu Shtron Një Darkë Iftari

Më 18 korrik, Ambasadori Alexander A. Arvizu shtroi darkën e Iftarit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në nderim të komunitetit mysliman shqiptar. Kreu i Kryegjyshatës Botërore Baba Mondi, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender Bruçaj, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, myfti nga qytete të ndryshme dhe përfaqësues të shoqërisë civile ishin disa nga të ftuarit e nderuar në këtë darkë. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Arvizu tha se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë shembullin që Shqipëria i jep vendeve të tjera mbi tolerancën fetare, një shembull që shpresojmë të frymëzojë njerëzit në të gjithë rajonin dhe mbarë botën, për të lënë mënjanë ndasitë dhe për të gjetur respektin për njëri-tjetrin edhe kur nuk pajtohen në mendime. “Liria për të besuar dhe për të praktikuar besimin fetar në mënyrë paqësore, na kujton dhe tregon traditat që dy vendet tona ndajnë,” theksoi Ambasadori Arvizu, përpara se Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skender Bruçaj të bënte lutjen para fillimit të darkës.