Ambasada Amerikane Mbështet Gratë Parlamentare

Më 27 maj, Ambasadori Arvizu, i shoqëruar nga Ambasadori i OSBE-së Raunig, dha një pritje të vogël me rastin e nisjes në SHBA të grupit të grave parlamentare të cilat do marrin pjesë në Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar “Fuqizimi i Grave”. I hartuar për drejtueset dhe përfaqësueset e Aleancës së Grave në parlamentin shqiptar dhe forumet e grave të partive kryesore politike, programi do t’i japë pjesëmarrësve mundësinë për të eksploruar se si gratë nga parti të ndryshme politike punojnë së bashku për të nxitur dhe mbështetur fuqizimin e grave në Shtetet e Bashkuara. Pritja mblodhi së bashku anëtare të parlamentit dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që punojnë në Shqipëri. Duke ju drejtuar pjesëmarrësve, Ambasadori Arvizu theksoi rëndësinë e të punuarit së bashku për të mbështetur fuqizimin e grave në Shqipëri dhe vuri në dukje se “ne shpresojmë që gratë që do të marrin pjesë në program do i përdorin njohuritë dhe përvojën e fituar në SHBA për të forcuar Aleancën e Grave, dhe për të avancuar barazinë gjinore në Shqipëri.”